| Nga DHURATA HOTI |
E mërkurë pasdite!
Vera erdhi pa marrë leje. Jashtë, bota nxirrte vapën me frymëmarrje, atë lloj vape që zbut skajet e gjërave dhe i bën hijet të turbullta. Gjithçka u ngadalësua: hapat, zërat, zhurmat që vinin nga rruga. Ti hyre brenda.
Në ëndërr pashë një shtëpi pa çati. Rrija në mes të saj, ndërsa drita derdhej ngadalë, e artë, sikur kishte kaluar më parë nëpër ëndrrën e dikujt tjetër. Nxehtësia më digjte lëkurën, por nuk lëviza.
Pastaj e pashë veten duke u afruar drejt meje. E njëjta formë, por me flokë të çrregullt dhe sy të turbullt.
“A je ti unë, ajo e vërteta?” pyeta.
Ajo buzëqeshi lehtë, sikur më njihte prej kohësh.
“Jo,” tha. “Jam ajo që mund të bëheshe.”
Për një çast mendova ta prekja, por ajri mes nesh u hollua dhe ajo u tret.
Kur u zgjova, dritarja ishte hapur vetë.
Qëndrova pa lëvizur, sikur një gjest i vetëm mund të trembte diellin ose ëndrrën që ende më rrinte mbi lëkurë. Çarçafët më ngjiteshin si kujtim.
Ti le një portokall mbi tavolinë. Të paqëruar. E nuhata para se ta shihja — i ëmbël dhe i mprehtë. E mbajta në pëllëmbë, ende të ngrohtë nga prekja jote. Diku mes frutit dhe heshtjes, mu kujtua emri yt. Jo fjalët, vetëm pesha e tij në gojë.
Dhoma ishte e qetë, por pluskonte, si një trup që mban mend një vallëzim shumë kohë pasi muzika ka pushuar.
Unë hapa gojën dhe e gëlltita diellin.
Foto@TowfiquBarbhuiya