| Nga ELJESA KRAJA |
Zilja e orës më joshi drejt dyerve të jetës. Sekondat, sikur çukërrinin për shtegtimin në aroma të reja dhe na ftonin të shihemi sy më sy me botën. Kjo lëvizje, edhe pse sa një pingërimë e shpirtit ëndërrimtar, nuk ndalon asnjëherë. Ai çast i vogël, i ngrohtë brenda e i acartë jashtë, kur fijet e borës bien saktësisht në vendin e duhur, përmban ndryshimin.
Fëmijët shikojnë retë e njëtrajtshme në horizont dhe, si me magji, ngjyra e bardhë përshkon qerpikët deri tek bebëzat e fjetura. Zgjohen, zbresin rrugëve me kalldrëm dhe dëgjohen goditjet që pasohen me një gjurmë të pashlyeshme. Ecejaket që përshkojnë vizatojnë dhe lakojnë lumturinë sublime. Fytyrat e tyre rrëzëllitëse ia kalojnë edhe medalionit të hënës, që ndriçon përmes qiellit të ngrysur. Ngjan si një histori e gjallë që shkruhet në memorien e tyre të freskët, dhe ndoshta pasthirrmat e ndryshme shumëngjyrëshe prezantojnë mënyrën e fluturimit të tyre në të ardhmen.
Me ne të rriturit, gjërat ngjajnë ndryshe. Ne i frikësohemi “të ftohtit” dhe mbështillemi me ndjesi të rënda. Vrapojmë, përpiqemi të gjejmë ngrohtësi, të ikim nga ajo akullnajë e brendshme që na ngurtëson. Ndërsa fëmijët ledhatojnë topin e borës së sapoformuar, sikur prekin diçka magjike, që as nuk i rëndon e as nuk i thyen. Ata nuk e shohin ftohtësinë si një pengesë, por si një kanavacë të bardhë ku gëzimi dhe imagjinata mund të lulëzojnë pa frikë.
Zëri i lirë i tyre sikur thërret: “Dua të ec… dua të vrapoj…” Që në hapat e parë, ata dëshirojnë të shikojnë diku përtej, diku tutje… apo të prekin dhe të kapërcejnë.
Kalojnë vitet.
Koha merr me vete shumë ndryshime, dhe tashmë ai zëri fëmijëror është burrëruar, por akoma ka në kujtesë “pushtetin e dëborës”. Të gjitha vizatimet e projektuara nga ajo kohë kanë marrë përmasa të caktuara, por në thelb mbartin ftohtësinë e pakënaqësisë dhe të pritshmërive.
Ndonjëherë, degët e veshura me të bardhë shfaqen para syve të tij si një kujtesë e heshtur e rëndësisë së pritjes dhe fuqisë së dritës që ndriçon pas çdo dimri, duke i dhënë kuptim të ri pritjes dhe rrugëtimit.
Pikërisht këtu ndalon dhe thërret: “Këmbëzbathuri, e paskemi jetuar të vërtetën.”