EKSPOZICION ARTESH

| Nga LIRIDON HYSENI |

Unë me hijet po garoja
Ato pikturoheshin pas çdo trupi,
Me apo pa shpirt.

Në gardhin prej druri mbështetesha,
Ndërvete mërzitjen fishkëlloja…
Sikur s’ecte as koha…as nuk prekte.
Boshllëqet fillova t’i gjurmoja
Që i linte pas kur ndalonte,
E si të dehur më lëshonte
Nëpër skajet e heshtjeve të pamësymta

Mënjanë, shtrati i butë i livadhit të gjelbëruar
Afirmonte trupin në kompromis.

Me mendjen e shthurur në zero gravitet
Aty ku dielli qëndron në Orion
Nëpër katet e qiellit sikur më thërret
Ama zanafillë nuk ka në sfond

I thashë, prej meje ç’kërkon?
Shpirtin në flagrancë!?
T’a dish, arti më nuk më mbron!
Jam në ekspozicion.

Tash, përtej shthurjes e maturisë
Shikimet shpuese m’rrethojnë.

Çfarë din ti për mua?
Kush është që din diçka?!

Gjithë këto koka pa fytyra,
Me duar pa gishta, në cep!
Në këtë Galeri ankthesh e makthesh

Një realitet sofizmash
“Nuk është ky unë,
Nuk jam unë ky!”

Shfaqje kontekstuale me algoritma,
Rubikone mimikash që s’do ju njoh kurrë
As kur të vdes!
Por kam shpresë se ndoshta…
Them ndoshta,
Do e njoh veten.
Po, veten.

Gara për koleksion.
Unë, hijet dhe arti që më s’më mbron!

Foto@AzkaRayhansyah