ËNDRRAT NË SIRTAR

| Nga NADA DOSTI |

Sa herë më pyësnin “Si je” doja t’iu përgjigjesha “shumë e vetmuar” por me një “mirë jam” e kaloja rradhën. Gjithmonë kam dashur të kem një shok apo shoqe. Fiks ashtu sikur unë nuk arrita të bëhesha kurrë për ime më apo për im atë. Vajzë, djalë, s’ka rëndësi. Me rëndësi të jetë shëndosh. Fiks ashtu sikur unë nuk arrita të bëhesha kurrë për ime më apo për im atë. 

Prita…prita…çdo fillim muaji mërzitesha. Thjesht për një vijë më pak. Tre vjet rrjesht. Derisa ti erdhe. Natë e ditë brenda meje. S’kishe nga t’ja mbaje. 

Po tani, a do të mbroj unë ty apo ti mua…? Një ditë u rrëzova. Pata shumë frikë se do të të humbisja. E si mund të të humbisja kur ende s’të kisha fituar. Ende s’të kisha parë. Një mall i papërshkrueshëm. Njësoj si malli për vendet e shenjta, për një vend që ende nuk e ke parë dhe nuk ke shkelur ende. Mall jo prej kësaj bote.

Për të të mbajtur në prerë më në fund, më kërkuan të shkoja tek “Dhoma e Takimit të Shumëpritur”. Një dhomë shumë e ftohtë. Një ftohtë i frikshëm, sa prej ftohtit u dogja. 

Kurse ti, ishe vetëm dhjetë sekonda larg. “Tani numëro nga dhjeta deri në një. Derisa të mundesh!” më tha doktori. “Dhjetë, nëntë, tetë, shtatë…! Terr. Kur hapa sytë ti i kishe mbyllur. Bota u ndal. Në fakt bota vazhdonte, e zhurmshme si gjithmonë. Por për mua u ndal. Qetësi dhe heshtje. Asgjë dhe askush nuk zhurmonte më. Ti ankoheshe. Kërkoje. Uriteshe. Qaje…. 

          * * *

“O ma, çfarë do të thotë të kesh ëndrra në sirtar?” do më pyesësh një ditë.

“Do të thotë të kesh të gjitha pjesëzat e duhura për të ndërtuar një sirtar. Ta ndërtosh atë me duart e tua, nga asgjëja. Të marrësh copa të ndryshme dhe si një pazëll të mendohesh gjatë e gjatë se cila pjesë shkon ku. Se nëse gabon qoftë edhe një pjesëz atëherë e gjithë puna do të shkojë dëm. Duhet të sigurohesh së pari që pjesët të jenë të qëndrueshme. Njëherë, e tërhequr aq shumë prej petaleve të bukura të dandelionit, mblodha mjaftueshëm sa për të ndërtuar një sitatar timin. Por kur papritmas fryu një erë e fortë e  ç’bëri të tërin, ndërsa ëndrrat që prisnin aty në një cep, u ngritën lart në qiell, vallëzuan për pak kohë në ajër, pastaj u venitën! Ikën bashkë me erën.

Më pas, kur të jesh siguruar që pjesët e sirtarit të jenë të forta mjaftueshëm, dhe t’i kesh dirigjuar me dorën tënde dhe kur secila të bierë në vendin e vetë, atëherë duhet të fillosh të thurësh ëndrrat. Mos bë dhe ti gabimin tim, pra t’i thurësh përpara se të kesh bërë sirtarin gati, se mund të t’i marrë era dhe ty, ose mund të t’i rrëmbejnë të tjerët, që ëndrra s’kanë për vete…”

“Po ëndrrat si thuren o ma?!”.

“Nuk e di moj bijë, kam harruar, u bë kohë që nuk marrë në dorë shtizë e pe. Këtë duhet ta zbulosh vetë. Duhet ta zgjedhësh vetë perin me ngjyrën dhe trrashësinë që më së shumti të pëlqen. Njejtë edhe për shtizën. Me rëndësi që shtiza t’i përshtat perit, se nëse padashje zgjedh shtizën e gabuar atëherë nuk do mund të orkestrosh ritmin e duhur. Por nuk mbaron me kaq. Pasi t’i kesh thurur një nga një, duhet të bësh kujdes kur t’i vendosësh në sirtar. Mirë është që t’i rrjeshtosh sipas ngjyrave dhe madhësive. Duhet të vendosen në pamje të parë që t’i kesh dhe më lehtë për t’i arrirë. Jo si puna ime që bëra gabimin e madh dhe i vendosa në fillim fare, dhe duke shtuar ëndrra pas ëndrre ato që ishin të parat shkuan në fund. Saqë më humbën nga shikimi dhe harrova fare që ekzistonin. Humba shumë kohë duke kërkuar për materialet, duke ndërtuar sirtar pas sirtari, sepse sapo ndërtoja një, ndodhte diçka dhe shkatërrohej, ose vinte dikush dhe ma prishte. Pastaj humba kohë për të gjetur shtizën dhe perin e duhur. Peri këputej, shtiza thyhej. Gje një tjetër, hë dhe një tjetër. Pastaj thur e thur pa fund. Për ta bërë ëndrrën sa më të madhe. Disa i lija përgjysëm se isha shumë e lodhur. Natë e ditë duke thurur derisa më dolën sytë. Kur zgjohesha në mëngjes nuk doja ta vazhdoja më. Nisja një tjetër. Këtë herë të vogël nga dëshira e madhe për ta parë punën time sa më shpejt. U lodha aq shumë, ndërto, thur, vendos …derisa i vura çelësin sirtarit dhe s’pata dëshirë ta hapja më. Herë pas here doja t’i nxirrja prej aty dhe t’i prekja një nga një. Tundohesha nga dëshira e zjarrtë për t’i sjellë në jetë dhe për t’i përqafuar. Por nga frika se mos dikush m’i shihte dhe pastaj do i donte për vete… E dija që do bëntë ç’mos t’mi merrte nga duart. Më mire le të rrinin aty në sirtar, se sa të mbetesha me duart bosh. Gjithë ai mund për t’i thurur, gjithë ajo lodhje për t’iu gjetur një streh…s’mund të lejoja t’më iknin prej duarsh.”

“Ku është tani ai sirtar? A mund t’i hedh një sy ëndrrave të tua, të shoh çfarë ngjyre dhe forme kanë? Se s’di nga t’ia nis me të miat…”