FIJA E JETËS

| Nga SHKËLZEN HALIMI |

Kur e ndeza fijen e shkrepsës, hija ime u reflektua mbi sipërfaqen e dritares së pikturuar në mur. Ishte po ajo hije që pas një nate të rëndë, në mëngjes kishte vendosur t’i gjente ndjenjat e mpira që ishin tretur në mjegull. A ishte veç një makth apo frika e kafshonte përbrenda, këtë hija nuk e kuptoi, por e ndjeva sikur tha se kërkimi i ndjenjave të mpira kishte ndodhur vetëm brenda një nate, e cila kishte qenë një natë nëntë-fish e gjatë, duke kaluar nëpër nëntë rrathët e ferrit të Dantes.


Babai rrinte kruspull në një kënd dhe kishte vendosur që qetësia ta mbyste. Sa herë që hapej dera e shtëpisë së vjetër, në faqe i rrëshqiste një pikë loti. Ishte i përhumbur nëpër ëndrra të zhubravitura dhe kisha bindjen se mundohej ta gjente fijen e jetës ose fillin e gjatë që lë tymi i zi kur digjet diçka.


Ishte dita e fundit e tij kur hetova se shpresa do t’i fiket. Iu afrova pranë dhe duke i pëshpëritur në vesh, e pyeta: a e gjete fijen e jetës? Sa është e gjatë?
E pashë tek picërroi sytë drejt meje. Më shikoi mallëngjyeshëm dhe i shkoi buza në gaz. Nga xhepi i këmishës së bardhë nxori një fije shkrepse, e ndezi dhe ma la midis gishtave. Pashë se si i fikej ngadalë edhe ndriçimi i bebëzave të tij, ashtu siç u fik edhe fija e shkrepsës, që u bë blozë në gishtërinjtë e mi.


Kur sërish pllakosi terri dëgjova kuisjen e derës dhe, nën dritën e hënës që depërtoi për një çast, vërejta tek doli hija që qëndronte mbi sipërfaqen e dritares së pikturuar në mur. Më kaploi një përkushtim që një ditë ta marr rrugën për t’i gjetur ndjenjat e mpira që ishin tretur diku nëpër nëntë rrathët e ferrit të Dantes…