FUSTAN NUSËRIE

| Nga DASHURIJE BAJRAMI |

Dashuritë e vërteta nuk provokan fustan nusërie…

Vjeshtë, ngjyrat e kësaj stine janë mahnitëse, medituese rreth kësaj krijimtarie kaq madhështore! Por, shiu edhe pse është begati, ngërthen në vete një pikëllim! Gjethet në ramjen e tyre përtoke na tregojnë se çdo njeri ka një fillim dhe mbarim mbi këtë tokë, ngjyrat e tyre s’janë të njejta, kështu njejtë si krijesa njeri që secili ka një histori të veçantë por, jo të njejtë!

Piktura e varur në murin e dhomës më bënte shpesh të thellohem e ta pyes veten, çfarë domethënie kishte ajo a thua për nënën time? Një fustan nusërie dhe një buqetë trëndafilash të bardhë! Pastaj filloj dhe them me veten time a thua ajo ishte ajo jetimja, që nuk mbeti më e bukura nuse e dashurisë së vërtetë të saj?

Filloja ta mendoja atë përrallën që ma tregonte shpesh nëna, e që mos ndoshta ajo ishte jeta e saj që na e rrëfente përmes përralles! Ku sikur fillonte me veten si nuse në pragun e shtëpisë të një njeriu që nuk merrte apo thënë të drejtën nuk dinte asgjë për jetën e as për veten. E dhimbshme, të martohesh me një njeri të pa rritur nga mendja.

Kur fillonte stolisjen e rreshtave të asaj përralle, drejtohej nga ajo pikturë dhe sikur shtegtonte diku larg e pastaj kthehej dhe tregonte, se para disa viteve vajza e përrallës ëndërronte që një ditë ta vishte një fustan nusërie në ceremoninë e dasmës me dashurinë e saj të vërtetë, ngase ata duheshin aq fortë dhe mezi prisnin datën e martesës së tyre, saqë ditët u dukeshin si vite, orët si ditë të gjata, e minutat si orë me akrepa të prishur! Por, ajo kurrë s’kishte ndoshur, kishte mbetur një dëshirë e palosur në sirtar. Sot ku ishte? Dhe me çfarë njeriu i duhej ta jetojë një jetë të tërë. Nganjëherë kishte frikë se a do të mundej t’i shkoj deri në fund të kësaj pune! Shpesh sikur e pyesja për personazhin e përrallës, se pse nuk ishte bashkë me njeriun që e kishte dashur vërtetë! Fillonte të më tregonte se atëherë ishin prezentë shumë njerëzit e këqinjë që punonin me magji, ata ishin shkaktar për ndarjen e tyre. Edhepse ajo dashuri tashmë virtualisht ende frymonte, fizikisht që moti ishte varrosur, ashtu ia lexoja përgjigjen e vërtetë nga shkëlqmi i syve të saja të përzier me lotë!

Po njeriu i tashëm a e donte e pyesja! “Ai se njihte dashurinë bijë, ai as që e kuptonte atë, as jetën madje!” Në këto fjalë sikur pikturonte fytyra e saj dëshpërim dhe gjilpëra me penjët e përgjakshëm qëndiste pikëllim, pendim dhe një mërzi të madhe! Po personazhi i kësaj përralle si ishte martuar me të! “Mos pyet bijë, ajo ishte një jetime me prindër të gjallë por, të ndarë. Ajo ishte më e vështira, ngase për fajin e tyre një jetime në atë kohë kur mbet rrugëve……”Sikur s’donte të vazhdonte më tutje.

Po, nanë pse vazhdonte të jetonte aty, cila ishte arsyeja? “Ishte vajza e saj që tashmë Zoti ja kishte dhënë si dhuratën më të çmueshmën në jetë! E që po ta bënte gabimin e prindërve të saj, vajza do ta pësonte njejtë! Por, bija ime ajo kishte harruar se fëmijët mund të trashëgojnë nga i ati dhe jeta e saj do të vështirësohej edhe më tepër!”

Dhe tash pas ca viteve mes lotëve në mos prezencën e nanës sime, e kujtoj atë përrallën e famshme duke i qëndruar përballë pikturës me fustan nusërie dhe trëndafilat e bardhë si buqet.

Sikur shpirti më fliste në mes dhimbjesh se ajo kishte sakrifikuar shumë për mua si vajza e vetme e saj, bile tashmë loti që më rrëshqiste faqeve u afrua deri tek buzët dhe sikur i shtyri të shqiptojnë: “Dashuritë e vërteta nuk provokan fustan nusërie!”