| Nga NADA DOSTI |
Ky qyteti ka dalur prej kartolinash. Me mijëra dritëshkrime janë prerë prej revistash turistike dhe janë ngjitur në këtë botë për të sjellur qytetin me Kala të Bardhë. Ku lindin trima dhe burojnë kroje. Kjo botë përrallore me legjenda dhe misticizëm, ndahet nga bota reale përmes një rrethimi me gura, mu në maj të kodrës. Poshtë kështjellës, aty ku nisin kalldrëmat qëndron një meso burrë me çifteli në dorë që luan prej motesh. Për vendas dhe për të ardhur. Nëse dikush dëshiron t’i dhurojë diçka nuk thotë jo, por as nuk e ndal këngën. Vazhdon i palodhur duke rrëfyer legjenda të moçme. Nga mali i gjelbër i Sari Salltiku këmbët të çojnë vetvetiu në një rrëshkitje drejt e tek Pazari me qilima plot. Qilimat kuq e zi mund të fluturojnë madje deri tek Kroi i Taslloit aty ku uji të sjell superfuqi prej një tjetër epoke. Trupi ringjallet, frymëmarrja lehtësohet dhe energjitë ripërtërihen.
Sot, ditën e gjashtëmbëdhjtë të muajit të gjashtë, mu tek Gryka e Vajës nëntëdhjetë vasha të kapura dorë për dore e dhanë shpirtin e tyre të brishtë. E morën, e bënë shuk dhe e hodhën nga kalaja poshtë në humnerë. Që shpirti i tyre të shpëtonte nga egërsirat dhe përjtësisht të mbetej i bardhë.
