| Nga HAMDI NUHIJU |
Gjethet simbolizojnë bukurinë e stinës. Janë pelerina mbrojtëse e pemës! Në secilën degë, njeriu sheh drita shprese. Paska jetë, gjallëri, shpresë për ditë të lumtura e të mira. Po ato nuk i mbijetojnë dot erës. Kur e vështron me kujdes, njeriu nuk e di se çfarë është më mirë, të jesh erë apo gjeth?!
– Varet nga situata, u përgjigj Artani. Ndonjëherë të jesh erë e ti marrësh me vete të palarat e njerëzve, të pastrosh çdo gjë para e mbrapa është mirë. Po, bukuria e gjetheve nuk përshkruhet me asgjë.
– E sakt, kërceu Hareja nga fundi i bankës. Era është grua, po grua e zonja e cila nuk pyet për nazet e meshkujve. Gjethet janë vajza të reja që zbukurojnë gjithçka. Nuk mund të paramendosh asnjë periudhë të vitit pa to.
– Dimrit, janë të zverdhura, bien, ia dha Artani. Nuk i qëndrojnë dot ndryshimeve klimatike. Verës janë të gjelbra, në vjeshtë fillojnë të zverdhen e dimrit janë gjysmë të rëna e gjysmë të zverdhura.
– Pemët, tha Hareja, duken si pa rroba kur gjethet bien. Të turpshme, të holla, të mjera. Është mjerim gjatë dimrit të mos mbulohesh?!
– Verës, kur temperaturat janë të larta, pse ka nevojë pema të mbulohet me gjethe, pyeti Artani. Që të mbrohet nga rrezet.
– Gjethet, turpërohen nga mëkatet e njerëzve, zverdhen dhe bien, komentoi Hareja. Po, ti Artan a turpërohesh kur nuk e dëgjon nënën?
– Në derë futet mësuesja.
– U skuq Artani, e me të edhe Hareja!