GRATË E DRINBARDHIT

| Nga NADA DOSTI |

Dymbëdhjetë orë rrugë. As më shumë as më pak, për të mbërritur në qytetin e Bungajave.

Ishte ftohtë dhe rruga e vështirë. Kalonim përmes një humnere, por dukej se unë isha e vetmja e shqetësuar. Të tjerët ishin mësuar. E bënin këtë rrugë vazhdimisht, pa telashe.

Tubanat kishin nisur të binin, ende pa mbërritur ne. Njerëzit ishin tubuar. Mëhalla zbukuruar. Dy Drinat kishin shtruar shtratin e tyre me gurë smeraldi. Luma, Gora dhe Malziu ishin pajtuar me njëri tjetrin. Prisnin mysafir nga larg, andaj s’kishte kohë për hatërmbetje. Majmarica kishte zbritur nga Mali gati për të nisur misionin e saj fisnik.

Dyert e konakëve janë hapur, dhe shamija është qendisur dhe varur në mur prej kohësh. Vashat shtatgjata ishin veshur me sari, të gjelbër dhe të kuqe. Balluket jashtë, dhe flokët mbuluar me shall shumëngjyrësh.

Përveç asaj, që me dënesë rënkonte nën duvak. Sonte do iu thoshte lamtumirë fëmijërisë, oxhakut dhe sofrës. Nisën brohoritjet vajtuese. Fjalë të rënda lamtumire u thanë.

Nana, që me sabah ka nisur kulaçin në gjerdek. Tri të shtëna arme oshëtijnë nëpër të gjithë qytetin. Le të nisë nibeti. Le të nisë makami Brodit.

Burrat duket sikur fluturojnë në ajër gjatë valles dorë për dore. Në sfond çiftelia, pipëza, fyelli dhe daullja kumbojnë Suitën Lumjane. Ritmi rritet, lodhja shtohet. Pak nga pak duart lëshohen.

Shumica largohen, mbeten vetëm dy tre sofra njerëz. Hoxha ftohet mu në qendër të sofrës. Të gjithë sytë tek ai me shpresë që të mbetet sa më i kënaqur. Zotria në fjalë çon duart lart. Lutjet këndohen. Vargjet recitohen nga zëra vashash që presin në prag të dhomës:

Pa dëgjo, oj nuse, ç’po të themi

Çfarë gafe, oj nuse, ti bëre

Ti ke kapur, oj nuse, dorën e majtë

Ti ke zbathur, oj nuse, këmbën e majtë?!

Tashmë të dy janë strukur në dhomë. Ajo ia shtron sexhaden. Që ai t’i falë dy reçatë namaz. Falënderimet ngriten në qiell.

Nën të njëjtin qiell nan’lokja ka dal në prag.

Vajton të gjallët që përcolli matanë detit dhe nuk i pa më me sy. Në atë botë, djemtë e saj kanë tjetër emër. Por të paktën atje, matanë detit, jetojnë të lirë. Gjaku është tharë dhe harruar. Por gjuha mëmë ende flitet me mall.

Lokja shamizezë, tashmë e përcolli dhe Doruntinën. Jo shtatë kodra e shtatë male, si dikur. Sot, Konstantini nuk çohet dot nga dheu. Ai u varros i gjallë në një tjetër tokë, ku valëvitet flamuri tringjyrësh. Atje nuk thirret më me emrin e tij. Atje struket i fshehur në një botë të vogël. Punon natë e ditë që të shohë pakëz dritë.

Doruntina, sot vozit makinën e saj. Rruga nuk zgjat më dymbëdhjetë orë por pak më shumë se katër. S’ka më nevojë ta shoqërojë ndonjë nga vëllezërit. Sapo është diplomuar në kryeqytet, në konviktet e të cilit shumë pranvera rrjesht ndamë një odë sëbashku. Sot, ajo po kthehet në qytetin e Bungajave të ndriçojë fëmijët dhe të rinjtë të shohin dritë në vendin e tyre. Të kujdesen për tokat e tyre.

Në tokat e Drinabardhit, ku flitet shqip plot melodi.