GURËT E ZEMRËS

| Nga LEJLA ISMAILI |

Ngrohtësi e shpirtit, tharje e çdo loti hallesh dhe pushim nga çdo frymëmarje e lodhshme. Jo, nuk i ngjan asaj mbretërie të pallateve që janë shtruara në histori, që kemi dëgjuar dhe lexuar gjithmonë. Është ajo mbretëri ku mbreti, bashkë me zonjën e tij, dëfrehet dhe merr frymë lirshëm, kur kristalet e tyre janë të sigurta nga rojet që nuk shihen me sy, por vetëm ndjehen.

Mbreti e jep shpirtin e tij për diamante, sepse për të më me vlerë janë ata se sa vetvetja. Është në gjendje të japë gjithçka dhe të heqë dorë, vetëm e vetëm që të mos humbasin florinjtë me qypa. Ky është një pallat që nuk ka përjetësi; zhytet, derdhet ngadalë dhe mbetet në duart tona, sa shumë u kujdesëm dhe e vlerësuam atë bukuri e dashuri të paofruar nga askund tjetër, sikur aty.

Gurë më gurë është ndërtuar ky pallat, ku bashkë me to ndërmjetësuan edhe lotët, mallëngjimi, çiltërsia, mbështetja, edukimi, sakrifica, sfidat dhe shumë gjëra të paofruara askund tjetër.
Në dhomat e kësaj ndërtese shumëkatëshe, shkëlqen zëri i mbretëreshës, e cila, pa asnjë kusht dhe me plot përkushtim, pastron diamantet e saj deri në atë pikë ku dëshiron t’i shikojë duke shkëlqyer aq fuqishëm, sa të mos ketë askush tjetër si të sajat.

Mbreti, ashtu siç bën luani pas gjahut, e ruan dhe i del zot kështjellës së tij nga çdo kurth dhe çdo e keqe, sado e vogël që mund të ekzistojë. Me dashurinë më të madhe, ai shpreh përkushtimin ndaj mbretëreshës, dhe me këtë mrekulli ata ujitin dhe ruajnë perlat e tyre nëpër guaca. Ai asnjëherë nuk pranon një shpresë të mbushur me pendesa, sepse asnjëherë nuk ka vdekur në të dhe nuk pendohet për asgjë që bën brenda territorit të tij. Lufton deri në frymën e fundit me përpjekjen më të madhe të mundshme dhe nuk pret asnjë shpërblim nga kristalet e tij; dëshiron vetëm shkëlqimin e tyre të pandërprerë. Zonja e pallatit, përveç respektit dhe mëshirës ndaj mbretit, të njëjtën dashuri ua fal edhe trëndafilave të saj, të cilët kanë lulëzuar në çdo cep të vendit ku frymojnë të gjithë.

Kjo mbretëri nuk është thjesht një vend i ndërtuar me gurë dhe flori, por një ndërtesë e shpirtit, ku çdo pjesë është thurur me dashuri, përkushtim dhe sakrificë. Ajo nuk ka përjetësi në vetvete, por qëndron e përjetshme në kujtimet dhe zemrat e atyre që e ndërtuan dhe e ruajtën. Dhe këtë mund ta bëjnë vetëm një nënë dhe një baba për më të dashurit e tyre, për fëmijët – zemrën dhe frymën e tyre. Ata jetojnë të qetë kur shohin që fëmijët kanë çdo të mirë të mundshme, edhe pse ata vetë nuk i patën kurrë…

Foto@EvgeniTcherkasski