HAJDUT LIBRASH

| Nga NADA DOSTI |

I gjithë qyteti, madje i gjithë kombi u zgjua atë ditë me lajmin e kobshëm. Të gjithë ishin shtangur. Lajmi kishte dalur mbi kronikat e zeza, kryefaqet gazetave ishin mbushur me tituj tmerrues për ngjarjen fatale: Një djalë 19 vjeçar kishte vjedhur një libër. Guximi për një vjedhje të tillë kishte kaluar cakun e vjedhjeve të përditshme të këmishave të bardha dhe kollareve të zeza. Nuk ishin asgjë vjedhjet e përditshme të politikanëve për një votë, apo të pedagogëve për një notë, para kësaj paturpësisë për të vjedhur një libër. 

Isha dhe unë në të njëjtën librari atë ditë. Si dëshmitare okulare e ngjarjes, mbaj mend që më bëri shumë përshtypje krimi në fjalë. E pash me sytë e mi kur djali mori librin në dorë. Me aq shumë delikatesë dhe përkujdesje. Jo një libër dosido, por librin e famshëm me kopertinë jeshile prej nëntëmbëdhjetë eurosh. Fytyra e tij e buzëqeshur u nxi e tëra kur pa çmimin në kapun pas të librit. Sikur të kishte parë mortjen me sy. Mbaj mend se si e shfletonte me sytë mbyllur në përpjekje për t’ia ndjerë aromën e këndshme të një libri sapo dalë nga sthypi. Aromë e një kruasanti të ngrohtë të sapo dalë nga furra, shoqëruar me një kafe turke të mesme. Ngjashëm me aromën e petullave të gjyshes mengjesve të vona të së dielës. Mund ta ndieja aromën e librit që shfletonte djaloshi edhe prej aty ku isha. 

Më pas, në pak sekonta bëri gjestin makabër: e futi librin nën xhaketë dhe u drejtuar për tek dalja. Kur sinjali shurdhues i alarmit të librarisë filloi të ulëriste plot histerizëm. 

Të gjithë u shtangën. Shikime paragjykuese si shigjetë e qëlluan mu në lule të ballit. Djaloshi u skuq i tëri. Rrëzoi librin në tokë në përpjekje për t’ia mbathur. Por forca të armatosura arritën ta neutralizonin në kohë. Pronaren e librarisë e shoqëruan në spital nga trondja e madhe prej skenës që iu desh të përballonte. Madje, që në ambulancë ia matën tensionin dhe i vendosën serum që t’i kthehej ngjyra.

Djalin me pranga në kyçe e detyruan të dalë para gjyqtarëve pa të drejtën e avokatit mbrojtës. Djali tha se nuk kishte pasur të holla të mjaftueshme për të përballuar çmimin e jashtëzakonshëm. Nuk kishte para as për bukën e gojës, lëre pastaj për ushqimin e shpirtit, që konsiderohej lluks në atë qytetin e madh të vendit tonë. 

Gjykati vendosi dënimin e arrest shtëpie sipas së cilit në sytë e tij do të mbillej një pajisje e posaçme kundër leximit të librave. Pajisja do të sinjalizonte sa herë djaloshi do të mund t’i afrohej një librarie apo bibloteke së paku prej dyqind metra. Sytë e tij nuk do mund të hidhnin shikimin mbi një libër përndryshe sinjalizimi do të pasohej me një burgosje të përjetshme.

Në dosjen e tij penale shkruhej: I Dënuar. Faji: Vodhi një Libër. 

Deri në vdekje do të njihet si hajduti i librave