| Nga MEDADIN LIMANI |
Bit Pazari në Shkup ishte po aq i mbushur sa zakonisht. Një vend ku shitej gjithçka, por asgjë nuk ishte pa vlerë. Vlera është fshehur në djersën e punës. Megjithatë, ata talleshin me fatin e saj, duke luajtur me peshoren, pa qenë të vetëdijshëm. Ditët e fundit, duket se as disa që nuk zbresin nga faltorja nuk kanë kaluar shumë nga pazari. Sikur ta kenë harruar Zotin!
Në çdo cep, zërat përziheshin me historinë e vuajtur, dhe në çdo tezgë duket sikur ekspozoheshin jetët e njerëzve, jo thjesht mallrat. Zhurma ishte e madhe; burra e gra, krah për krah, bënin pazare të zjarrta.
“O bo, boo!”
Në mes të këtij kaosi, shkrimtari, me një makinë të vjetër shkrimi, kishte hapur tezgën e tij. Tezga e tij ishte e thjeshtë: një makinë shkrimi, disa letra të verdhura nga koha dhe një tabelë me mbishkrimin: “Shkruaj historinë tënde për 100 denarë”. Ashtu si lufta e tij së gjithë jetës, më në fund tabelën e kishte vendosur me gjithë dëshpërimet thjesht në një cep të tezgës. Me durim, priste…
Kalimtarët ndaleshin për një çast, disa qeshnin me buzëqeshje përçmuese, të tjerë e shihnin si të çmendur. Një plak, duke kaluar pranë, murmuriti: “Kush e ka më një histori për t’u shkruar?”
Pas tij, një grua e re, e edukuar, iu drejtua shoqes së saj me një buzëqeshje ironike:
“Kush përdorë ende makinë shkrimi këto ditë?” dhe qeshën së bashku. Por, shkrimtari, i qetë dhe i sigurt, qëndronte aty, duke pritur të ardhmen me plot shpresë, pavarësisht njerëzve që kalonin pranë.
Pasdite, një burrë i gjatë dhe i mbushur iu afrua tezgës. Rrobat e tij të zbehura tregonin për një jetë të vështirë. Nuk dukej shumë i interesuar të ndante historinë e tij, por nxorri nga xhepi një 100 denarësh të zhubrosur dhe e vendosi me nerva mbi tezgë. “Hajde, shkruaje historinë time,” tha. “Por ta dish, nuk ke çfarë të shkruash! Çdo gjë me vlerë që kam pasur, ka përfunduar. Ose ka skaduar nga pritja, ose shpresat e mia janë shuar.”
Shkrimtari buzëqeshi lehtë dhe tha: “Çdo jetë ka një histori!”
Burri qëndroi i heshtur për një çast. Pastaj mori frymë thellë dhe filloi të fliste: “Dikur kisha tezgën time këtu, në këtë pazar. Por, koha ndryshoi, njerëzit ndryshuan. Tani përpiqem të gjejë ndonjë punë në ndonjë qoshe. Dikur njerëzit negocionin për një pjatë, një libër apo një lodër. Sot gjithçka është brenda një telefoni. Jeta jonë është mbyllur pas një ekrani. Ik, ec në Çarshi të vjetër dhe shiko ku ka librari? Askush nuk ka më nevojë për to. Njerëzit janë kaq të pasur, sa nuk kanë më nevojë për libra dhe revista, apo jo?”
Shkrimtari e dëgjoi me kujdes dhe nisi të shkruante. Makina e tij e vjetër shkrimi filloi të përplaste taste me shpejtësi, dhe çdo tingull sikur gdhendte gjurmët e një jete mbi letër.
Kur përfundoi, ia zgjati letrën burrit. Në të shkruhej: “Çdo gjë në Bit Pazar është e vjetër, por asgjë nuk është pa kuptim. Ajo që shitet këtu nuk janë vetëm sende, por e kaluara e dikujt. Koha mund të të ketë ndryshuar, por edhe ti duke punuar akoma më shumë mund të dryshoshë kohën. Historia jote nuk ka përfunduar. Mos harro, çdo histori mund të rishkruhet.”
Burri e mori letrën dhe e lexoi me vëmendje. Sytë iu mbushën me lot. Pastaj murmuriti: “A kaq është historia ime? Jo, sigurisht që jo! Historitë tona gjithmonë mbeten të paplota. Më pas ngelin nën hijën tuaj dhe një ditë mbarojnë.”
Shkrimtari buzëqeshi akoma më lehtë dhe i tha: “Ke të drejtë. Por mos harro, kuptimi i një historie varet nga sa dëshiron ti t’i besosh asaj. Edhe pse e paplotë, historia rishkruhet prapë duke jetuar. Lufto dhe shkruaje vetë historinë tënde. Vetëm mos u dorëzo!”
Burri e futi letrën në xhep dhe u largua i menduar. Atë ditë, gjëja më e vlefshme që u shit në Bit Pazar ishte një histori e paplotë, por e denjë për t’u rishkruar:
“Të besojmë përsëri në vetvete.”
Foto@DebbyHudson