| Nga LIRIDON HYSENI |
Të ulesh në kafene
Lagjes përbri
T’a dorëzosh mllefin
Që tërë ditën ke përbi
E ku ka më mirë…?
Kur fillojnë kategoritë e shpimeve
Si në puseta
Të errëta prej zilisë
Të shtrira nëpër sytë e fqinjëve
Ku shpërthen uji i xhelozisë
Mbi drejtësinë
E mbi pushtetet
Vargje vargje thashethemet
Thuren e ç’thuren me smirë
Në tërë lagjen
E ku ka më mirë…?
Kërcejnë këshilla e kuriozitete
Si mindilat në ahengje
Por sot kafeja
Me plotë shije ç’mu dha!
Këmbën mbi këmbë,
Si mbi hava.
Kjo hava e thurun mbi retë pa shi
Veç shkrepëtimë shterpë,
Pa begati.
Porsi fjalët boshe të fqinjëve të mi.
Për çdo ditë,
E ku ka më mirë…?