KALORËS I BUZËQESHJES

| Nga DASHURIJE BAJRAMI |

Hë pra më thuaj, veç pak më pëshpërit,
ku zemra kërkon n’fund të tunelit një dritë,
më trego pak si quhet ajo gjendje,
kur plaga thjesht lidhet por prap shkakton dhimbje?
Të mendosh në jetë gjithmonë me butësi,
do të pyesin ore mos je gjëi çmendur ti?!
Shpesh do të emërtojnë edhe dështak,
e kanë bërë zakon mos ki merak!
Një këmishë të gjakosur duan të ta veshin,
sikur vëllezërit e Jusufit edhe ty të përqeshin,
në pusin e tradhëtive të fundosin thellë,
të humbesh si njeri atje poshtë në humnerë!
Ç’të duhet të mbetesh aq i lidhur me vetminë
të menduarit keq të shpie në gërminë!
Epo mjaftë me qarje kështu shpirti s’duron,
do të tradhëtohet më beso, kush tradhëton,
ata që vërtetë në jetë qëndrojnë besnik,
cila zemër e sinqertë mbet pa iu bë ashik?
Mos qaj, s’ia vlen më dëgjo të lutem,
veprat nuk humbin në regjistër do të futen,
mes frikës dhe lotit bëhu dhe mik i shpresës,
mes dhimbjeve të fashuara kalorës i buzëqeshjes!
Të kuptoj shumë mirë për dashurinë vërtet,
sot të jesh njeri është gjëja më e vështirë në jetë,
“pa dashje e bëmë” shpesh dhe ta thanë,
por, sikur të fundit fjalë të parën ta dhanë!
Të të duan me fjalë dhe të duan nga zemra,
ndryshojnë në vepra edhe pse jo në gërma,
ngase dashuria pa vepra veç me të kota fjalë,
është si të jesh i uritur e ushqimit t’i sillesh vërdallë!
Andaj kur vesh petkun e njerëzillëkut e hapëron,
me plot vetëdije ti e di se kah shkon,
nëse para syve s’ke humbur t’vërtetë rrugëtimin,
sytë të shihkan bukur t’përgëzoj për shikimin!