KARAFILA DHE LULEBORE

| Nga NADA DOSTI |

“Karajfilat që ka Shkodra medet sa t’bukur jan’”

Të katërta stinët mund të gjenden në këtë qytet. Në hyrje, aty tek rrethrrotullimi dhe tek e gjithë zona përreth, shtrihet një dimër i ashpër. Madje edhe në mes të gushtit. Dimër brenda, dimër jashtë. Por mbi të gjitha dimër në shikimet dhe zemrat e njerëzve. Dimër në trotuarët ku fshatarët shesin të korrurat e tyre kurse lypsqarët fytyrat. 

Ishte gusht kur e vizitova Shkodrën për herë të dytë. Dhe verën e gjeta tek Pedonalja plot me karanfila dhe luleborë. Çdo dy hapa vozitnin dy rrota. Me ose pa njerëz sipër. Rrokulliseshin deri në fund të pedonales dhe pastaj ktheheshin pas në pikënisje. 

Buzëliqenit ishte gjithmonë pranverë. Peshku kishte shije dheu, kurse flladi aromë fëmijërie. Prej aty mund të dukej një kodër. Atje vegjetonte pambarim vjeshta. Gjithmonë lagështi, plot me shira, si lotët e Rozafatit dhe qumështi që lagte muret e kështjellës, dhe rrugët deri poshtë në qytet. Kur isha e vogël, sa herë vinim në eskursion këndej, të gjithë qeshnin e lodronin pranë mureve të kështjellës. Kurse unë ulesha përballë saj. S’di a më dëgjonte a më përgjigjej, por dij që qanim hallet bashkë. Lutesha gjithmonë që kur të rritesha Zoti t’më jepte një djalë.