KARANTINAT

| Nga NAZIF AGALLIU |

Fjetinat e verës së vakët të adoleshencës sonë
Pas librave të ndaluar
Ishin karantinat
Stërviteshim për kohë të tjera lufte
Ndonëse paqja mbytur dy herë në pelenat e një gjysmëshekulli
Me këngë rreshtore
Ushqenin ëndrra me botë të lumtur
Armët e rënda s’po shkriheshin, as akujt
Marshet e luftës dhe uniformat
Një hap në fushime
Çelentanon frikshëm e adhuronim
Nën bataniet e mykura aleate të luftës
Heminguay shfaqej frikshëm me librat e verdhë
Uniformat na kishin lodhur si urdhërat
Me emrat e flotave të Mesdheut thirrej pasdita
Në formacionet e ushtrive të huaja
Ngurohej poezia e Jeftushenkos dhe Eliotit
Ëndërronim të quheshim në shëmbëlltyrë
Djemtë e një tjetër Brezi të Humbur
Me të njëjtën veshje, në një karantinë
Atdheu, Paqja dhe ne fëmijëtë e atdheut
Grindeshim shpesh bij të kujt ishim.

Foto@ManuelPerisTirado