KËSHTU KAM DASHUR

| Nga HYRË FAZLIJA |

Kështu kam dashur, shiu t’më bie mbi supe.

Të frymon avulli mbi dritare, ku varur rri shpresa…

E të qëndisë me thonj natën e premtuar.

–

Shi kam dashur të jetë, për tokën e etur në mungesë zëri…

Ç’e do kur vjollcat vonuar janë në duart me lila, bosh?

Ç’dhuratë! Janë falas: dhimbja, frymëmarrja, era…

–

Kam dashur, shiu t’më lag kujtimet,

t’më gris bulzash në pellg uji si në pasqyrë,

kur frika është memece,

e të loz shkronjash të ngrira…

–

Kam dashur sot të vesh fustanin e kuq.

Gjëmimit të motit t’i bëj ballë:

Ta kapërdijë shiun si Dante rrethin e shtatë të ferrit.

Të zgjohem pa u zgjuar, kam dashur

Mes fije flokësh të hap mëngjesin gri,

E të shuaj etjen buzësh me vesën e akullt…

–

Po. Kam dashur, të mas stinën e lindjes.

Ta ndaj vitin përgjysmë, vjeshtë bën në shpirt:

Pranvera do lule shumë…