KËTO VARGJE

| Nga DRITAN SKENDERI |

Të më falësh? Jo, nuk dua!

As mirkuptim s’më duhet, jo.

S’dua t’jem nga zgjedhjet tua

S’të thash zgjedh, por dashuro!

–

Kurrë nga pas s’do të të vij

S’do të të lutem, s’do të të pres

Kam hequr dorë? Jo, kurrsesi!

Një i dashuruar s’jeton që t’vdesë

–

Të t’dal përballë, as që mendoj

Zaten anë n’dashni nuk ka

N’lartësi t’thella të takoj

Ti më thua: unë s’të kam pa

–

S’më kupton? Të kuptoj unë

E di si është t’shohësh me sy

Dje s’më pe, po s’prish punë

Të vij nesër përsëri

–

Kot m’kërkon në ëndrrat tua

Po s’të qeshë ëndrra vet

Në brendi po s’më ke mua

Nga jashtë, vallë, të t’vij më pret?!

–

Po tani, i bjen në fije?

“Dje” dhe “nesër” përsëriten

Sot, di gjë se kur i bie?

“Dje” me “nesër” kur të piqen

–

Tash, me gjasë, mendon ç’do bëj

Hiç. Siç kam qenë dhe do të jem

“Dje” dhe “nesër” i kam njësoj

Ti fshij me ty s’e kam problem

–

As tani s’më kupton dot?

Mendtë ngatërrojnë dhe pun’t e veta

T’sqaroj thjesht, mos u lodh kot

Jo në mendje, n’zemër t’gjeta

–

Po tash që flas, a më ndëgjon?

A më sheh që t’jam përballë?

Këto vargje tek lexon…

Unë t’ndiej ty. Po ti, ndien mall?