KOLEKSIONI I THYER

| Nga ZEHRA MUSNAD |

Gjithnjë kam dashur të koleksionoj, por asnjëherë s’e kam ditur çfarë doja vërtet të koleksionoja.

Kështu  ideja më kish mbetur pezull teksa shikoja gjërat në dhomen time ndjeva sikur dikush më thoshte: dëshira jote sapo u përmbush!

Isha vet-koleksionuar. Në formën më të pafajshme. Secili nga sendet kishte një histori të veten që rrënjëzonte në mua e degëzonte në vende, njerëz e kohëra të ndryshme dhe të gjitha këto 300 kilometra larg, përtej tetë orë rrugësh. 

Ndjeva trishtim për muzeun tim. 

Mes gjërave ishte një tavëll e pashkundur. Me gjasa nga hera e fundit që më dëgjoje duke pirë njëra pas tjetrës cigaret e tua (më duket vetja si një nga ata psikopatët që rrëmbejnë sende të ndryshme në varësi të sëmundjes përkatëse).

Pastaj kishte bileta autobusi të përdorura.. (bobo më përzihet kur kujtoj 300 kilometrat)..bishta cigaresh.. Paketa bosh cigaresh.. kuti shkrepsesh.. çakmakë..karta telefoni..suvenire..fatura blerjesh…dhe çdo detaj të vogël të atyre udhëtimeve e takimeve tona.

Asnjë nga sendet nuk levizi, por të gjitha nisën të më gjallonin brenda.

Të kujtohet kur ishim fëmijë? Kur nuk kishim derte të mëdhaja, se ato ishin gjërat e të rriturve…të rriturit…si misionarë jete që na  kalonin para syve e na vinin dorën mbi kokë. E ne kishim qetësi…brenda  nesh ishte ajo hapësirë e jona…e pacënuar…ajo vetja jonë…ashtu  bukurisht e vetme…ndërsa tani ka aq zhurma…ja, e dëgjove këtë? Ajo  tavlla jote u thye brenda meje. S’doja ta rrëzoja…por këtu është aq rrëmujë…ka aq shumë sende…aq shumë gjëra të rriturish…dhe unë sikur kam ngecur midis dy botësh, tepër e vogël për vendime jete, dhe tepër e madhe për të refuzuar përgjegjësi, për t’u shtrirë në tokë e për të përplasur këmbë e duar se dua të kthehem tek ti. 

Dua t’i hip autobusit, dhe rrugës ta flak atë kuti me sende, e ti them vetes se tashmë nuk kam më nevoj për këtë botë të vogël të kujtimeve tona, sepse bota ime dhe kujtimet janë shkrirë të gjitha tek ty.

E ke parasysh kur ishim të vegjël edhe prindërit na kërkonin diçka, sidomos të hanim ushqim ose të shtriheshim për gjumë për hatrin e tyre: hë dhe një çapë për hatrin tim, hë dhe këtë lugën e fundit, hë mbylli sytë se dhe pak orë nga agimi, hë fli dhe këto orë të ditës. Të gjitha këto rixha vetëm e vetëm për mirëqënien tonë, që të rritemi të shëndetshëm.

Pse kur rritemi dhe kërkojmë të shkojmë pas lumturisë tonë bëhen pengesa më e madhe?

Pse nuk kam dëgjuar asnjë prind t’i lutet evladi: “hë të keqen vrapo pas botës tënde, hë të lutem shko udhëto atje ku ta don zemra, hë për hatrin tim duaje atë që të don, dhe pranoje atë dashni që kaq shumë mall ke për të”? 

Sot, qava.

Dje, sot, nesër…po kush e mban më mend, ditët janë përzier, koha është kopleksur. 

Nuk mbaj mend më asgjë. 

Ku mbeti kutia me kujtimet tona.

Edhe atë ma morën, si ç’ja marrin vajzave të vogla kukllat prej dore për t’ua hapur sytë se tashmë janë rritur.

E morën dhe e hodhën në plera. 

A hidhet e gjithë bota dot në plera? Si mund ta zërë një kazan plerash një botë të tërë. 

Si mund të ndyhen kujtime aq të brishta?

Po më thojnë se kam çmendur, se nëse nuk i ndal lotët, se nëse nuk resht së qari do sëmurem, derisa të më shtrojnë në spital. Thonë se kam muaj që qaj, dhe ditë a javë që nuk ushqehem. 

“Hë dhe një çap për hatrin tim”

“Hë dhe një lug të keqen, xhani im”

Iu dhimbset trupi im, shëndeti im ..po për shpirtin tim kush mendon? Po për zemrën e thyer copë e çikë kush vajton? Pse askush nuk bën rixha për ta ndeq? Për t’i mbledhur të gjitha copat një më një e për t’i puqur sërisht bashkë?

Xhan? Cili xhan? Atij që vetë ia hapët gropën dhe e varrosët të gjallë, pastaj ia fjalët xhenazen “për të mirën e tij”?