| Nga DRITAN SKENDERI |
Kur do ikësh, t’fluturosh
T’më lësh vetëm mua me ty
N’daç ndojherë t’më vizitosh
Frymo thellë, më gjen aty
–
U bë shumë që m’torturon
Më ngulfat në qiell të hapur
Në çast vjen e më shpëton
Në çast ik më lë gojëhapur
–
Frymë më bëhesh, ajër n’qiell
Të mbaj brenda më ngulfat
Hënë vetmie, në mall diell
Përmalljen sa vjen ma zgjat
–
Të të lëshoj, mbytem pa ty
Shpirtin n’dorë ti ma ke
Kam nevojë për ata sy
Diell e hanë dhe frymë më je
–
Ik, pra, ik ti se unë s’të lë dot
Hareshëm, e buzëqeshur, siç më erdhe
Ik dhe më fal një pikë lot
T’i ujis kujtimet e mia për ty në trupin tim çerdhe
–
Ik, fluturo, shtegëto me erën
Kur të kthehesh në çerdhen tënde, mbi trupin tim
Ma sjell me vete edhe pranverën
T’më lulëzojë kopshti i shpirtit me lule që çelin “ti” kujtim