KUR IKE TI

| Nga ZEHRA MUSNAD |

Kur ike ti ra shumë shi. Fiks ashtu si në takimin tonë të fundit. Madje mund të them se pas asaj dite nuk kam parë më ditë me diell në jetën time.
Kur ike ti ra shi pa fund, stinë pas stine, tre muaj rresht, pastaj edhe tre muaj më pas, edhe pas atyre tre muajve, por edhe tre muajt e fundit.
Kur ike ti ra shumë shi. Erdhën njerëz plot në jetën time, dhe dolën plot të tjerë, por të gjithë sikur e kishin një mision të përbashkët për të ma çoroditur akoma më shumë rrëmujën. Çdo njeri që erdhi dhe iku ma shtoi akoma më shumë boshllëkun dhe mungesën tënde.
Kur ike ti ra shumë shi, madje dhe kur nuk binte: errësoheshin retë, gjëmonin bubullima dhe shpërthenin rrufe. Kurse unë nuk qesha më kurrë. Madje dhe kur qeshja, qeshja ime ishte e mangët, sepse çdo qeshje fshihte në vetvete mungesën tënde dhe shijen e boshllëkut që e shoqëron pas. Kështu nisa të mbaja zi fill pas ikjes tënde. Nuk dëgjova më muzikë, nuk iu bashkova kurrë një valleje, dhe nuk ia mora më kurrë një kënge. Vetëm iu bashkangjita vajtimeve të atyre që ishin në zi para ose pas meje. Në një ritual të përbashkët, ku dhimbja na bënte një, e ku qanim ikjet. Madje nuk i rashë më asnjë vegle, as nuk derdha më ngjyra në telajo. Vetëm bardh e zi, aty këtu ndoshta edhe pak gri.
S’e ke idenë sa shumë shi ra kur ike ti. Po si t’ia kesh, kur tek ty del dielli përditë. Shijon çdo stinë pa mund dhe lodhje. Madje as re të zeza nuk duken në horizontin tënd. Ndërsa këtu tek un ra shi pa fund. Me ditë…me javë…me muaj…madje me vite pa pushuar fare. Fiks si atë ditë kur u ndamë.

Kur ike ti..