| Nga DRITAN SKENDERI |
Vendosën, një ditë, që të kuvendojnë përjetimet, ndjenjat, emocionet… Pos vendmanifestimit të tyre zgjodhën si pikë takimi, ku tjetër pos vendbanimit të tyre, ose më mirë thënë, gjendjen e njeriut. Në krye të vendit qëndronte lumturia – roli i saj ishte vetëm ta kryesojë kuvendin dhe të vendosë. Vuajtjet dhe dhimbjet në një anë, plagët dhe dertet në një anë, kurse djegiet dhe përmallimet në një anë tjetër. Audiencë kishin plagët në trup, lotët në sy, të qarat dhe të qeshurat në tinguj, vallëzimet në heshtje…
Vuajtjet dhe dhimbjet jetonin në shpirt, plagët dhe dertet në zemër, ndërsa përmallimet në mushkëri, por në të vërtetë të gjitha këto jetonin në kokë ndaj edhe i shohim dhe përjetojmë ato ndryshe.
Vuajtjet dhe dhimbjet kishin të njejtin shqetësim apo habi, si ta them… Ato ishin të dërguar dhe kujdestarë për pastrimin e shpirtit, ndërkohë që njeriu i shihte me sy të keq, mundohej të ikte vazhdimisht prej tyre dhe madje i mallkonte sa herë që i hetonte – sepse i kishtë në shpirt dhe s’kishte si t’u ikte, s’kishte fare kuptim kjo gjë. Si do qoftë, këto kërkonin një zgjidhje, kërkonin rrugë që ta kuptojnë njeriun, se mbase së pari këto duhej ta kuptonin njeriun, para se ai t’i kuptonte ato. Por, si?…
Plagët dhe dertet ishin poashtu në udhëkryq. Edhe ato ishin të dërguar dhe kujdestarë, por për pastrimin e zemrës, ndërkohë që edhe këto njeriu i shihte me sy të keq, mundohej t’u ikte dhe madje i mallkonte sa herë që i hetonte, që i ndiente në zemër. Madje, përveç kësaj, ato habiteshin se përse njeriu shpesh i ngatërronte plagët dhe dertet me plagët dhe problemet… Plagët i përkasin trupit kurse problemet kokës, nuk kuptonin se ç’lidhje kishin këto me zemrën?!…
Kurse përmallimet kishin një shqetësim tjetër. Gjithashtu edhe ato ishin të dërguar dhe kujdestarë, por për pastrimin e mushkërive, në mënyrë që edhe shpirti edhe zemra të gjallëronin dhe të frymonin lirshëm dhe hareshëm, Ndërkohë që edhe këto njeriu i shihte me sy të keq, përpiqej t’u ikte sa mundte dhe i mallkonte, gjithashtu, sa herë që i hetonte dhe i ndiente…, por, rrallë në mushkëri… Ato vërtetë reflektonin në shpirt dhe në zemër, por e gjitha ishte rezultat i djegieve dhe i përmallimit të mushkërive. Si do qoftë, njeriu, duke i ndier në zemër a në shpirt, i mëkonte ato dhe linte pas dore mushkëritë… Harronte se djegiet dhe përmallimet gëlojnë, shkrijnë, harxhojnë dhe tretin, e këto ishin karakteristika të mushkërive. Prandaj ato mendonin se, mbase, ngatërrimi dhe mospërfillja e vendbanimit, vendmanifestimit të tyre e hutonin njeriun dhe ai nuk e kuptonte misionin e tyre. Si rrjedhojë, neglizhonte edhe ushqimin e tyre, pra as ajrin as frymën nuk e kishte dert se nga e merr dhe ku e si e harxhonte, …
Në ndërkohë që të gjitha këto po diskutonin bashkë dhe pritej që lumturia ta thotë fjalën e fundit, në kuvend erdhi Dashuria, të gjithë ranë në gjunjë të përulur me respekt dhe nënshtrim… Sepse Dashuria ishte burimi dhe udhëheqësja e tyre, dhe vetëm ajo kishte zjarrin me të cilin digjte kë do, dhe ato kishin frikë nga zjarri, nuk donin të digjeshin pra. Vetëm njeriu është shpërfillës ndaj zjarrit, sidomos ndaj zjarrit të Dashurisë, prandaj digjet shpesh…