| Nga BENNU PACOLARI |
Ç’është liria? Të jetosh pa kufizime? Të veshësh çfarë të duash? Apo të jetosh në paqe në troje që s’kanë parë luftë? E bukur kjo, por liria nuk është vetëm kaq.
Bota është vend i çuditshëm. Brenda saj bashkëjetojnë të kundërtat: lufta dhe paqja, e qeshura dhe loti, rënia dhe ngritja. Po ku ndodhet liria në këtë botë? Mos vallë tek një fëmijë që mban me gëzim një tullumbace në dorë? Apo tek hareja e një fëmije që fluturon një qift? Për mua liria është çasti kur këput zinxhirët e ftohtë prej hekuri në kyçet e duarve dhe ato shohin për herë të parë diellin. Është pika e parë uji që lag fytin e tharë, çasti i parë që mbyll sytë mbi jastëk nga lodhja, sekonda e parë që i hap krahët në det. Liria është emri i atij momenti kur e humbet për herë të parë shijen e robërisë.
Liria dhe robëria. Të dyja i mbart brenda vetes kjo botë. Ne njerëzit shpesh e mendojmë veten të lirë, por jemi robër herë pas here.
Nëse flet, je i lirë, por nëse nuk mund ta shprehësh veten siç dëshiron, atëherë je i burgosur. Nganjëherë përgjigjja që jep u përket pyetjeve të gabuara. Çelësi që ke në dorë ndonjëherë i hap një derë tjetër. Sipas meje, e mira është e bardhë, e keqja e zezë. Dhe e zeza gjithmonë e gëlltit të bardhën. Por liria është blu. Blu si deti i pafund, blu si qielli i pastër, blu si pafajësia.
Dimë se kafshët në kafaz janë të burgosura. Por, në njëfarë mënyre, ato janë edhe të lira. Sepse bota s’mund t’i përkasë një zogu, por një kafaz mund t’i përkasë atij. Një zog në botë është i lirë, në kafaz i robëruar, por kur në natyrën e egër ai shihet si pre për grabitqarët, atëherë ai është i burgosur në gjithë universin. Në kafaz, përkundrazi, gjen lirinë e tij.
Mendoj se për këtë arsye njeriu ka dy sy: që me njërin të shohë të zezën, e me tjetrin të bardhën. Që me njërin të dallojë zjarrin, me tjetrin flakën. Që me njërin të shohë luftën, me tjetrin paqen. Nganjëherë ligjet e natyrës bien ndesh me ligjet e njeriut. Si rrezet e diellit që bien mbi tokë në dimër, apo freskia e shiut veror. Do të ishte e mrekullueshme sikur pemët të mund të lëviznin… Kur t’i shohim detet të gjelbra dhe tokën blu, atëherë kemi mësuar ç’është liria. Por ne jemi rritur me bindjen: “Detet janë blu!” — dhe kjo dije na ka bërë robër. Vetëm kur t’i shohim e t’i jetojmë gjërat siç i ndjejmë, vetëm atëherë jemi të lirë. Atëherë e këpusim zinxhirin e hekurt nga kyçet tona.
Bota është e rrumbullakët, ndoshta si një tablo e sheshtë, ndoshta si një shumëkëndësh… Por e rëndësishme është ta mendojmë botën si vend ku liria jonë mund të hapë krahët. Nuk ka rëndësi nëse është e drejtë apo e gabuar. Sepse shpesh, kur ndjekim rregullat, bëhemi robër. Muret e ngritura përreth nesh na mbajnë brenda. Vetëm duke i shembur, duke thyer rregullat, i japim emër lirisë. Në një botë ku vendosim vetë rregullat tona, hapim krahët sa të duam. Nuk ulemi aty ku na thonë, por aty ku dëshirojmë.
Gjithmonë më ka habitur mënyra si njerëzit e shohin me çudi një fëmijë që vizaton ndryshe nga të tjerët. Fëmijët që guxojnë të vizatojnë veten duke fluturuar mbi det, duke notuar në qiell, duke u ngjitur mbi një rrugë të sheshtë, duke sfiduar gravitetin e duke ecur mbi trungun e një peme — ata janë me fat. Me vetëm një laps e një letër dinë të krijojnë liri për veten. Të gjithë kemi dashur, qoftë për disa sekonda, të bëhemi të gjatë sa një kullë dhe të shohim nga lart ndërtesat, kamionët, botën. Dhe ta vizatosh këtë: të mbash një ndërtesë në prehrin tënd, të kapësh një qiellgërvishtës me dy gishta, të zgjatësh dorën dhe të mbash një avion — sa e vështirë mund të jetë?
Liria nuk është vetëm të shpëtosh nga lufta. Nuk është vetëm rrugët pa bomba e pa grushtshtete. Liria është brenda nesh, shpesh e robëruar. Sa më shumë ia mohojmë vetes baltën, shiun, rënien, të qarën e gjërat e panumërta, aq më shumë e burgosim lirinë. Emri i të burgosurit brenda nesh është liria. Të qeshësh është liri, të qash gjithashtu. Të rrëzohesh është liri, po ashtu të ngrihesh nga rënia. Lëri rrobat, duart e krahët të ndoten, të mbulohen me baltë. Lëre trupin të kërcejë nën shiun e stuhishëm. Shko drejt një pellgu dhe hidhu derisa të ndotesh i tëri. Bëhu i lirë!
Në një ditë me shi, nën çadër, nuk je i lirë — je i burgosur. Lëri flokët dhe thonjtë të lagen. Nëse rrobat tuaja s’prekin baltën, je i robëruar. Lëri të bëhen pis, që trupi yt të shijojë lirinë. Kur ecën gjatë buzë detit dhe shputat të digjen mbi rërë, çasti kur i prek dallgët për herë të parë është çasti i lirisë. Por nëse qëndron në det për orë të tëra dhe nuk del kurrë, atëherë je i burgosur. Çdo robëri lind atëherë kur shijojmë më tepër se ç’duhet nga liria…
Foto@SkylerEwing