LIRIA

| Nga HAMDI NUHIJU |

Liria dhe vdekja janë dy anë të një medalje. Jetojnë në një qytet! Lindin, rriten, zhvillohen! Duken të pakapshme për robërinë. Liria paraqitet në forma dhe mënyra të ndryshme, por asnjëherë nuk vjen pa e thirrur. Ka naze! Është zonjë e cila i bënë strehë vdekjes.

Liria për përmbajtje ka vdekjen, ndërsa si fytyrë ka përpjekjen. Nuk mund t`ia gërvishës përpjekjen sado që përdorë taktika dhe teknika moderne. Nëse arrinë në fundin e përpjekjes, papritmas të shfaqet vdekja. Kthetrat e lirisë të gjakosin, përpijnë dhe luajnë me idetë, mendimet dhe ndjenjat. Kanë rrënjë të vendosura thellë nën tokë  dhe shtylla që ngjiten lart në qiell.

Liria është ai peri i hollë që dallon të mirën prej të ligës. E liga kur trashet fillon të del prej kallëpeve dhe dëmton hapësirat e pastra mendore. E mira kap për kapistre perin e të ligës, përdorë pështymën e lirisë, tëhollon perin dhe këput të ligën. Hapësirat mbushen me erë misku! Veshkët hapen! Fryma fillon të rrjedh si një lumë i një bote tjetër.

Liria nuk është emër. Është e gjithkujt në tokën e askujt! Liria është kauzë e mendjes. Në momentin kur zgjidhen llogaritë me mendjen, hapen shtigjet dhe fillon veprimtaria e lirisë. Përderisa ende je në negociata me mendjen, duke u munduar për ta bindur, liria rri e fshehur prapa perdes. Një erë e lehtë fryn djathtas dhe majtas dhe ia nxjerrin para syve këmbët e lirisë.

Liria duket si një oqean i cili në vete ka krijesa të ndryshme. Nëse futesh i papërgatitur, nuk ka mëdyshje se në fund të oqeanit të pret vdekja. Liria nuk flet gjuhët e botës. Është memece dhe e shurdhër. Shfaqja e saj është madhështore, me dritë si Dielli! Të merren sytë, e ke të domosdoshme ta ulësh kokën! Duhet t`i rrish gatitu!