M_ _ _ _ _ _Ë

| Nga NADA DOSTI |

Do shkoja drejt Vendeve të Shenjta! E kisha bërë nijet prej kohësh. Valixhet ishin bërë gati, viza ishte marrë, biletat …nuk ishin prerë akoma. Sapo u bëra gati të shkoja algoritmet e mia ndryshuan. Edhe valixhja e ndryshoi përmbajten e vetë, ashtu vetvetiu. Pa më pyetur fare. Vura re se nuk ishin më fustanet e gjata dhe të zeza. Nuk ishte më as sexhadja palosëse e udhëtimit. Nuk ishin më as syzet e gjumit apo pantoflat e lehta. Në vend të tyre, kisha rroba prej shkrimtarësh dhe vullnetarësh. Xhaketa, libra, fletore shënimesh, stilolapsa, jeleku me logon e shoqatës, si dhe qerasje e dhurata të vogla për çmime….Më dukej sikur nuk kisha më kontroll mbi vendimet e mia. Në të njëjtën kohë, po humbisja kontrollin edhe mbi gjërat që më rrethonin. Asnjë send nuk më bindej më.

Arka e kursimit, me qindarka mbledhur me vite të tëra nisi të fluturonte. E mori vendimin e saj dhe e ndryshoi destinacionin pa më pyetur fare. S’kisha rrugë tjetër vetëm se ta shoqëroja. Nuk mund ta lija vetëm. Në vend Tokave të Shenjta, destinacioni ynë i ri është vendit i patatinave prej tarhanasë.

Çdo rrugicë mbartte një ngjyrë, aromë dhe melodi ndryshe. Por tingulli më i dëgjuar vinte nga buzët që hapeshin e mbylleshin teksa bënin lutje. “Duart kurrë mos të pafshin derte,” tha teksa ia zgjata paratë. Në këmbim më dha një tas me akullore të bardhë. “Zoti të dhashtë,” na tha shoferi i taksisë teksa numëronte tespihtë, pasi na la tek .Kalehani. Zhurma e sherbetit të jamballit teksa derdhet nëpër gota jehon nëpër rrugët e pazarit të vjetër. Aroma e tij fluturon drejt vendit ku bëhet ajo akullorja e bardhë. E një lloji të veçantë, një përzierje orkideje të egër me sahlep të pjekur në rërë të nxehtë. Një nga tetë mrekullitë e botës.

Rrugës ndalova para një ndërtese të shembur. Midis rrënojave gjeta një libër shkollor. Brenda kishte një detyrë të papërfunduar. Një enigmë e pazgjidhur. Nga ato detyrat me fjalëkryqe. Mungonte vetëm një rresht i paplotësuar. Pronarja e librit një natë më parë e kishte shëtitut dorë më dorë detyrën, tek të gjithë anëtarët e familjes, një nga një. Secili prej tyre kishte arritur të zgjidhte nga një rresht. Njërën e kishte bërë vetë, por kërkesa e fundit kishte mbetur bosh. Fjala fillonte me “M” dhe mbaronte me “Ë” dhe përbëhej nga tetë shkronja. Duhej ta zgjidhja patjetër. Nxorra nga çanta lapsin me nxitim dhe fillova të mendohesha me këmbëngulje. E hodha shikimin drejt Kodrës së Poetëve me shpresë se prej andej do më vinte frymëzimi. Eureka! Misioni përfundoi me sukses! Ç’të bëj tani me këtë faqe? Më duhej t’i gjeja një shtëpi të re. E palosa, e futa në xhep dhe vendosa ta çoja në shtëpi. Më vonë do ta ktheja në një shkrim. Shkrimi do të publikohej në një libër. Libri do të botohej dhe do dërgohej përsëri në këtë vend. Në vendin e patatinave të trrahanasë dhe akullores me lule orkideje dhe sahlep. Për ta përmbushur misionin e tij.