| Nga DRITAN SKENDERI |
Pse?! Pse s’më le të qetë, s’më le ta përmbyllja shfaqjen, ashtu, në përqafim të lumturisë së përgjakur… Isha mirë aty, ishte skena më e bukur e jetës sime, më e ëndërrdëshirshmja, më e ëndërrkërkueshmja… audiencë kisha yjet, qiejt, hyjnoren… Me aq ngazëllim prisja që me rënien e perdes të më pranojnë në mesin e tyre dhe ti…, ti ma prishe skenën, shfaqjen, ëndërrën… përse?!
Ti nuk kishe ftesë në këtë shfaqje, nga hyre në këtë audiencë, si, pse?! Madje s’u mjaftove vetëm me audiencë, pa qenë fare në skenar hyre dhe more rol, edhe atë rol që do bënte kthesën, përmbysjen e skenarit që po zhvillohej. A nuk e pe që ishte fundi i skenës së betejës së fundme të pazhvilluar, në të cilën në ekstazë prisja gufimin e luleve të dhembjes, në kopshtin e vuajtjeve të njëpasnjëshme… do çelnin çlirimin e plagëve të shpirtit tim, hapjen e përroit të helmit më të përmjaltshëm të gjakut të zemrës sime… e unë, me rrjedhën bashkë, do përfundoja në detin e pafundësisë… Ma ndërpreve gufimin, ma ndërrove rrjedhën, dhembjeve dhe vuajtjeve të mia ua shove shpresën për jetëgjasi, u premtove përjetësi pa dhënë fjalë dhe…, m’i vrave të gjitha, m’i shpartallove, m’i zhbëre pa kthyer kokën qoft edhe vetëm një herë të vetme…
Në ndërkohë që ikje me buzëqeshje të vrarë, duke e kamufluar me buzëqeshje të pafajshme…, ndonëse edhe për këtë premtove, premtove buzëqeshje të çiltër, të gjallë… Ike, por pa u larguar… Dhe guxon të më shohësh në sy akoma, gjoja me dhembje…, të lutem…! Jam i rregjur nga jeta, nga pikturat dhe imazhet e rrejshme që shfaqen vetëm me hije dhe fshehin ngjyrat e vërteta, apo edhe reflektojnë ngjyrime hijesh imagjinare…
Por ani, s’prish punë jo, pa merak, të lutem. Thjesht doja të të vë në dijeni se e dija edhe këtë skenar, të gjithin e dija, madje ta pata thënë. Si do qoft, më lejo të ta jap edhe një këshillë të fundme atëherë: mos nguro të mposhtesh nga gjërat e bukura, t’i dorëzohesh të bukurës qoft edhe duke e ditur se mashtrohesh, sepse të mashtruarit nga e bukura nuk ta humb krenarinë, dinjitetin, aspak. Të betohem se sërish po të më vish me po atë çiltërsi, të ndotur pafajësisht, po me atë bukuri, të gjymtuar pafajësisht, me po atë buzëqeshje që ta gjakos pafajsinë e dëshiruar, sërish do të të pres me mirësjellje. Sa herë që të më vish, edhe kur hera të mos ekzistojë më, do të të pres me delikatesë, ashtu edhe do të të përcjell… Sepse e di edhe që, megjithatë, shkaku i leqosjes së bukurisë, buzëqeshjes dhe pafajsisë tënde jam unë…
Por ti mos nxito ta dëshmosh pafajsinë tënde gjithandej, sepse për ta provuar pafajësinë duhet të ekzistojë faji, e në rast se faji nuk ekziston do të duhet ta sajosh atë. Mjafton të jesh ashtu siç dukesh dhe të dukesh ashtu siç je. Mjafton, pra, të jesh vetja.
Më fal që s’të lash pa faj…!