MENDJA

| Nga HAMDI NUHIJU |

Psikoanalisti Erich Fromm është marrë në mënyrë të detajuar me këtë temë. Sipas tij, mendja, që duhet të jetë një begati për njeriun, shpeshherë shfaqet si një mallkim. Ajo e ndjek njeriun duke ia nxjerrë para syve kundërshtitë e tij për ekzistencën, botën dhe vetveten. (Shoqëri e shëndoshë, fq. 47, Beograd, 1980)  

Pajtohesh?

Në terminologjinë fetare dhe kozmike, mendja është ajo që e dallon njeriun nga kafsha. Por filozofia sheh shumë kafshëri brenda vetë njeriut. Instinktet, arsyetimi i së keqes, dëshira për të mbisunduar mbi tjetrin duke e detyruar të shërbejë në çfarëdo forme, janë një lloj kafshërie e trashëguar. Këto elemente janë të dukshme që nga qeliza fillestare – midis burrit dhe gruas – e deri në nivelin ndërpopullor.

Njerëzit kanë shpikur terma si: gjenocid, spastrim etnik, feminicid, incest – për të përshkruar situata ku mendja vihet në funksion të mallkimit.  

Drejtësia, barazia, logjika, liria, e bukura, trashëgimia – janë pasqyra tjetër e mendjes.

Në çdo situatë, njeriu duhet të gjejë ekuilibrin që i mundëson fisnikërimin dhe të qenurit pjesë e një procesi të ndërtimit të botës.

Vënia në peshore e mendjes mes begatisë dhe mallkimit, në fakt, shpalos vetë natyrën e ekzistencës. Kjo është një betejë që nuk përfundon, deri në ardhjen e Kataklizmës së Madhe.

E gjithë kjo, në fund, varet nga vullneti i lirë i njeriut – se në cilën anë të peshores do ta vendosë historinë e mendjes së tij.

Foto@KierinSightArchives