| Nga LIRIDON HYSENI |
Freskia na e dridhë buzën në mëngjeset e hershme ende pa gdhirë. Nata zbukuron qiellin me yjëzime ëndrrash, për çdo ëndërr nga një shkëlqim yjesh. Gëzim e emocion i fjetur sikur erë që pret të kaplojë mjediset festive e kuvenduese të ditëve të Bajramit.
Fëmijtë, ata që e kanë për “detyrë” që me zërat e thekshëm e të mitur t’i mbushin me hare urimet, me këmbët e shpejta, të vogla e të lehta t’i hijeshojnë rrugët e zanuna me agjërues shpirtërisht të përmbushur.
Ledhatimi i ngrohtë i nënave në kokat e fëmijëve sypërgjumur që me ngazëllim flenë e presin të zgjohen me rrobat e reja afër jastëkut, me emocionin e të dukurit sa më bukur për festë.
Kafshatat e para të ëmbëlsirave të panumërta para se të dalin nga shtëpia. Parfmuosen, krihen, vishen, e më pas përqafimin më të ngrohtë ia dhurojnë nënës, ndërsa respektin dhe mirënjohjen duke e marrë dorën babait drejt lules së ballit. Nisen kështu drejt e në ceremoninë madhështore.
Qetësia e paqtë shoqëron këtë ditë të shumëpritur bashkë me ritualet e saja disa mijëra vjeçare.Dhuratat që kanë për “detyrë” të ndezin dashurinë e mëshirën mes gjeneratave, ku të harrohen një herë e për gjithnjë dallimet tona.
Me vizitat kuvenduese thuret kurora e mbretit të Festave, karshi të varfërit nuk njohim të pasur, karshi të ligut nuk njohim të fortin. Shohim vëllezër e motra që urojnë, gëzojnë e luten për pranim e shpërblim pakufi.
Në këtë festë, në këtë ditë të gjithë garojnë për të gëzuar vllaun, motrën, gruan, nënën, babain, djalin, vajzën, e krejt kë kanë përreth.