MJAFTON N’FRYMË TË T’PËRQAFOJ

| Nga DRITAN SKENDERI |

Më lër të paktën t’ëndërroj

Ma fal, të lutem, këtë liri

Imazhin tënd si fëmijë kujtoj

Me ty u rrita, frymoj tani

–

Imazhi yt, frymëmarrjet tua

Në shpirt më jepnin gjallëri

Të jesh vërtëtë në jetë, a thua

Më jep një shenjë, o Perëndi

–

Si zanë më vije në vegim

Të të takoj më ngjizje shpresë

Në gjumë një puthje, ledhatim

Drita jote m’zgjonte n’mëngjes

–

Një jetë të tërë n’kërkim pas teje

Një jetë në lutje e në shpresë

Një jetë luftë brenda meje

Të të takoj pastaj të vdes

–

Tani që t’pash, s’më dhimbset jeta

Tash Perëndinë falënderoj

M’pranoi lutjet, më n’fund të gjeta

Më dhimbset vdekja, s’do ta shijoj

–

Më lër, të lutem, t’ëndërroj

E di që kurrë s’ke për t’më dasht

Mjafton në frymë të t’përqafoj

I fshehur n’lulet që i nuhat

–

Pastaj në ajër do shpërbëhem

Me erë të freskët netëve të t’vij

Në trupin, flokun tënd të prehem

Ti gjumë të qetë, unë përjetësi…