MJEKU PIKTOR

| Nga HAMDI NUHIJU |

Arta me vështirësi u zgjua në mëngjes. Bëhet gati për në shkollë, por sytë iu janë ënjtur, është molisur dhe e lodhur. Nënë, po më dhemb koka dhe barku. Nëna mat temperaturën, zgjon burrin e saj nga gjumi dhe me shpejtësi e dërgojnë vajzën në mjek.

Çtë shohësh, rendi i fëmijëve me prindërit e tyre duke pritur për tu trajtuar . Tashmë është sezoni i virosave dhe kapacitetet e spitalit mbushen me kërkesat e pacientëve. Dhe në fund i vie radha Artës, ashtu e lodhur dhe e molisur të vizitohet nga mjeku.

Ia masin temperaturën dhe mjeku sugjeron që të marr terapi një javore me infuzione dhe injeksione. Si rezultat, Arta dy herë në ditë bashkë me prindërit e saj shkon në spital. Tashmë është familjarizuar me personelin mjekësor si dhe mjekët në kujdestari. Çuditërisht në tavolinën e punës të mjekut gjen disa vizatime të realizuara me laps, shiringa, infuzione, lodra fëmijësh, fëmijë duke qarë e qeshur, gjen edhe potretin e saj. Habitet! Dëshiron ta marr, por i kujtohet këshilla e prindërve se gjërat e huaja nuk bën ti prekësh.

Arta njofton nënën e saj për vizatimin dhe portretin e saj. Nëna e dëgjon me habi, por nuk di si t`i jap përgjigje, mat besueshmërinë e fjalëve dhe bëhet e rezervuar me komente. Arta struket në mendime, në dhomën e saj të gjumit merr lapsin dhe fillon të vizatoj. Vizaton një mjek me syze dhe veglat e punës se si është duke kontrolluar një fëmijë. Vizatimin e ruan si sytë e ballit, nga vëllai dhe prindërit deri në momentin e caktuar.

Ditën kur duhej vizituar për gjendjen e saj shëndetësore, Arta thotë se ka një dhuratë për mjekun, ia zgjat vizatimin i cili i befasoi të gjithë.

Mjeku piktor e pranon me dashamirësi dhuratën, kërkon në tavolinën e tij të punës dhe gjen Artën të pikturuar me laps. Ia zgjat Artës, ja bukuroshe edhe unë kam një dhuratë të vogël për ty.

Arta e përqafon mjekun duke iu falënderuar për pikturën dhe kujdesin gjatë trajtimit të sëmundjes.

Foto: Deniz Varli