| Nga MEJREM KRYEZI |
Teksa dita ia linte vendin natës, pasi lexova me faqe të tëra, libri që mbaja në dorë deshi të binte. Ndoshta s’ia kishte ëndja të vëzhgonte agimin sëbashku me mua. Sa e sa netë të tilla kemi kaluar bashkë, duke pritur mengjeset tona pa agime.
Nuk ka bërë vaki të ketë kaluar qoftë edhe një çast i vetëm e të mos kem menduar për të apo të mos flisja me të. Çdo ditë e çdo moment të jetës sime e kaloja në kërkim të tij. Po çfarë kërkimi i pafund të jetë vallë? Ah, sikur të mund t’i falja diçka, fjala bie një siluetë. Me dorë t’i vizatoja sy e vetull. Ah, sikur ky kërkimi im të kishte një portret, do e kisha pasur më të lehtë, madje do mund të kërkoja dhe ndihmë rreth e rrotull.
Por ja që s’kishte! Kështu, mbeta e destinuar duke kërkuar një asgjë prej asgjëje, brenda asgjësë. Ndërkohë, zemra rënkonte nga ankthi i përjetshëm dhe sytë e mi tashmë mbartnin ngjyrën e trishtimit.
Më në fund, erdhi dita e shumëpritur, dhe gjumi që nuk më kaplonte prej kohësh sikur erdhi për një çast në sytë e mi të lodhur e të trishtuar. Por nuk pata mundësi të flija. Edhe pse përpiqesha t’iu shmangesha njerëzve, ata vinin përsëri tek unë. Trokisnin tek unë se kishin nevojë, përndryshe askush nuk donte t’ia dinte se si isha.
Edhe sot si përditë ra zilja, por më e turbullt se zakonisht. Me sa dukej dikush po nxitonte seriozisht. Sa më shumë që i binte me këmbëngulje aq më me rëndesë përpëlitesha drejt derës.
Pasi rrëmbëva pardesynë dhe mbulova flokët, u drejtova drejt derës, preka dorezën, edhe pse një zë nga brenda më thoshte të mos e hapja, por ç’e do që nuk e dëgjova këtë zë dhe e hapa. Përballë meje qëndronte një burrë i zbehtë, i hollë, esmer, i gjatë rreth të tridhjetave. Para se të bëzaja, hyri brenda duke më shtyrë. Prej frikës, hapa sytë si filxhan, dhe tek sa u bëra gati të lëshoja një piskamë, ma mbylli gojën me të dyja duart.
“Të lutem mos bërtit, nuk kam për qëllim të të lëndoj, vetëm se më duhet të fshihem këtu” më tha.
Sytë dhe buzët e tij thoshin të njëjtën gjë, kështu që unë u ndala, mbylla sytë dhe thashë “në rregull”. Sapo i largoi duart, ra menjëherë për tokë. Me sa duket, përdori fuqinë e tij të fundit për të më heshtur. Kështu, mbeta unë në shtëpinë time me një të huaj.
Më mbeti në dorë, në fund të fundit, burri huaj kishte rënë pa ndjenja në tokë, kështu që unë e kisha mundësinë ta dorëzoja te ndjekësit e tij ose të thërrisja policinë dhe të shpëtoja nga ky mankth. Por nuk e bëra. Ngase nuk mund ta ngrija nga ku ishte, solla një jastëk dhe batanije dhe e mbulova. Përgatita dhe ushqim që të hajë kur të zgjohej. Kaluan orë dhe askush tjetër nuk trokiti më në derën time, as ai vetë nuk u zgjua. U përkula për të kontrolluar frymëmarrjen e tij dhe me sa dukej ishte ende gjallë. Ushqimi u ftohë tashmë dhe unë vetë isha e rraskapitur nga mungesa e gjumit. Shkova në dhomën time për t’u shtrirë dhe teksa po më zinte si kotje, ndjeva sikur diçka po lëvizte brenda trurit tim dhe u ngrita me hov përpjetë. Personi që kisha lënë pranë derës qëndronte ende aty. Nata kishte bërë një rrugë të gjatë dhe pothuajse ishte afruar drejt mesit. Çfarë po bëja vetëm me një të panjohur që as nuk e njihja dhe që më hyri në shtëpinë ashtu? Sado që ta përsërisja pyetjen, nuk gjeja dot një përgjigje.
I shtrirë gjatë gjithë gjatësisë në tokë, ky njeri ishte më i gjatë se ç’e kisha menduar. Ngjante me një skeleti gjigant me duar kockë e lëkurë, shpatulla të gjera dhe klavikul të brishtë. Mjerimi i shihej qartë tek bluza dhe pantallonat në një të zezë të shpëlarë, edhe pse ai vetë u arsyetua se i kishte zgjedhur me qëllim që të kamuflohej në sterrin e natës.
Ndërkaq, mysafiri im i paftuar filloi të hapte sytë. Sytë e tij, të cilët deri në atë moment nuk pata mundësi t’i shikoja nga frika, ishin të mëdhenj dhe të zinj. Qerpikët e tij të gjatë i bënin sytë të dukeshin edhe më të bukur dhe tiparet e mprehta zbuluan bukurinë e tij, pavarësisht lodhjes. Ajo dukej si një mbretëri tjetër me buzët e tij të kuqe të plota, flokët e zinj pak të gjatë dhe vetullat e zeza. Përballë kishte sytë e një gruaje e çuditur që e shikonte me kuriozitet dhe përshëndeti duke i rrumbullakosur buzët me më shumë ndrojtje se unë. Ngjyra e zërit të tij ishte si një melodi. Gjërat filluan të bëheshin më të çuditshme dhe unë fillova të ndjeja në zemrën time një ndjenjë ngrohtësie ndryshe për këtë të huaj. Por çfarë nuk ishte e çuditshme në këtë mes! Truri im ishte i lodhur nga pyetjet e mia pa përgjigje. Nga kush dhe pse ia mbathte, meqë ishte në shtëpinë time, ishte e drejta ime t’i dija këto..
…vazhdon!