MUZG (II)

| Nga MEJREM KRYEZI |

– Kush je ti?

– Mysafiri yt.

– Po ti erdhe i paftuar.

– Jo, ti më ftove.

– Si të ftova unë, a nuk ishte ti që hyre papritmas dhe ma mbylle gojën?

– Po isha, por ti më ftove.

– Nuk ka mundësi. Prej kujt po ikën?

– Prej teje.

– Po ikën prej meje dhe vjen strehohesh tek unë?

– Po pra, po iki prej teje, dhe po vij të strehohem tek ty…

– Posi pra! Nëse ke për qëllim të ma heqësh trurin, po ta them që tani që truri më ka ikur prej kohësh.

– Ha ha ha… jo, jo në fakt ti po ja heq trurin vetes. Zëri yt më jehon në kokë zhurmshëm prej ditësh, e dëgjoj gjithnjë e më shumë, mundohem të ik dhe më në fund e gjej veten në prani të këtij zëri. Vallë kush ka ndërmend të çmendë kë?

– S’arrij ta kuptoj dot: meqenëse po ikën nga unë, dhe shkon ku shkon përplasesh po tek unë, atëherë përse re përtokë në prag të derës?

– E din ti përgjigjen! Përse më rrëzove përtokë?

Pyetjet vinin me seri saqë nuk arrija dot t’u jipja përgjigjen e duhur. Tani durimi im kishte arritur kufirin.

– Shiko vëlla! Isha në terezinë time, duke lexuar libër. Ti erdhe, i re derës. Në botë s’ka shanse të ma heqësh trurin, andaj mos u lodh kot me lojë fjalësh. Përveç kësaj, nuk të kam raportuar gjëkundi se ndodhesh këtu. Pushove mjaftueshëm besoj. Gjithësesi natë është tani. Nëse çohesh dhe del me këtë terr askush s’ka për të dalluar. Meqenëse të bëra një nder, atëherë edhe ti kthema duke ikur tani prej këtu. Nëse thua se s’do të ikësh, të paktën fol drejt, dhe më sqaro saktë se kush je dhe çfarë kërkon dhe nëse kam mundësi të të ndihmoj, do e bëj.

– Unë nuk erdha me vullnetin tim, ti më thirre. Si nuk arrin ta kuptosh? Përndryshe nuk do isha këtu në pikë të agimit!

– Ta zëmë se të thirra për nime. Ti do shkon kudo që të thërrasin?

– Unë nuk shkoj kudo që më thërrasin. Madje është hera e parë që i përgjigjem thirrjes tënde. Të të zbuloj një sekret? Ti që më thirre po vetë ti ke për të më përzënë, mbaje mend!

Po fillonte të më përzihej mendja. Unë që e paskam thirrur unë po përpiqesha ta dëboja. Mendja nisi të më vinte vëerdallë. Ngaqë më pa të vetme, me siguri ka menduar se jam ndonjë mendjelehtë..

– Në rregull, kuptoj! Ngaqë nuk do të ikësh, po përpiqesh të më manipulosh. Me sa shoh nuk je ende në gjendje për t’u çuar dhe për të ikur nga këtu.

– Po, nuk jam, sepse ti je ajo që më rrëzove sepse kishe frikë nga ekzistenca ime. Ti po i shmangesh përballjes me mua. Nëse mund ta kapërceni frikën tënde, atëherë unë mund të ngrihem nga këtu.

– Hmmm, nëse do vazhdosh kështu, dije se po nis të humbas toruan, çka do të thotë se mund të të manovrojë si të dua unë. Andaj, çohu, hape derën, dhe dil jashtë!

– Ha ha ha. të thash që do dal nëse ti arrin të manovrosh frikërat e tua, dhe jo me urdhërat e tua.

– Ma hoqe trurin…

-Qetësohu! Ec, jepmë një emër!Nuk dua të mbetëm një asgjë, prej asgjëje që vjen nga asgjëja.

– Një asgjë prej asgjëje ..prej asgjë…ku e gjete këtë, po bën lojë fjalësh, po tallesh me mua?

– Jo nuk po tallem me ty. Ti ke ditë që je në kërkim të nëj diçkaje që as ti vetë s’e din, andaj dhe kur më pe nuk më njohe. Ai që ti prisje dhe që po kërkoje jam unë. Më thirre, dhe ja tek jam.

– Po pse duhej të të kisha thirrur unë ty, s’e kuptoj!

– Këtë e di vetëm ti. Më thirre, më kërkove, erdha. Jepmë një emër, ta dij dhe unë kush jam. Se kështu, më duket se do bashkëjtojmë për një kohë të gjatë këtu. Ti je e vetëdijshme që më ke thirrur, por nuk din si të më dëbosh tashmë, ndoshta thellë thellë e din por nuk dëshiron ta bësh.

– Mos ja fut kot! Po ta dija perse do e bëja? As ia kam idenë se si të thirra, lëre pastaj ta dij si të të dëboj.

– Atë s’e dij unë! Unë vetëm bëjmë çfarë më thua. Të paktën jepma një pasqyrë ta shoh si dukem.

– Po sikur isha unë ajo që të manovroja, i bie që edhe tani që kërkove pasqyrë, e paskam kërkuar unë?

– Normal që ti! çdo gjë që ndodh këtu, ndodh për shkak të dëshirave dhe tekave të tua, Shiko çfarë më ke bërë, më ke sjellur në formë djali.

– Ke luajtur mendsh? Mos ja fut kot! Qenke djalë! Këtej nuk lëviz dot prej vendit, këtej bën si trrim!

– Ç’pate? Perse të dridhet zëri. Mos ki frikë, unë mezi se lëviz dorën. Sa më shumë që të shtohen frikërat aq më shumë dobësohem. Do ishte mirë të qetësoheshe pak, se në fund të fundit jam mysafiri jot, po më torturon kështu.

– Kinse të dhemb shpirti!

-Më dhemb, normal që më dhëmb. Në fakt sa të dhemb ty aq edhe mua, por ti s’e kupton. Je përqendruar aq shumë të më heqësh qafe, saqë as nuk po përpiqesh të kuptosh, as të më njohësh.

– Po ç’kuptim ka të të njoh dhe të të kuptoj, në fund të fundit do ikësh.

– Nuk është ashtu pra. Kam nevoj që të më njohin që të më kuptojnë. Unë dua që të gjithë të më kuptojnë, dhe mbi të gjitha, t’më kuptosh ti. Qëndrova natë e ditë në një cep i strukur duke pritur që dikush të më kuptonte. Më në fund fillova të dëgjoj zërin tënd në tru, vrapova pa vetëdije, as nuk e kam idenë sa ditë rrjesht kam vrapuar. Për disa çaste ika nga ai zëri që më thërriste, por nuk munda ta heq qafe. Atëhere vendosa të dorëzohesha. U përmallova aq shumë sa thashë ndoshta për t’u kuptuar, pronari këtij zëri duhet të më njohë. Kërkimi im do të marrë fund dhe do të arrij gjej paqen atëherë kur të kuptohem.

– Edhe ti qenke në kërkim? Ndoshta s’jam unë që të thirra, por ti më thirre mua?

– Po të ishe ashtu, do ishe ti ajo duke u zvarritur nëpër tokë si gjarpër. Ishe ti që më thirre, dhe po ti doje të sqaroheshe. E ke sakrifuar veten aq shumë, sa po më detyron dhe që të t’i them këto fjalë.

– Pra, meqenëse këto jane fjalë të mia, i bie që ti të jesh unë, apo e kam gabim?

– Kush e din, ndoshta unë jam ti, ndoshta ti je unë.

Po më ikte truri keq. Isha në një bisedë të gjatë me një të çmendur që pretendonte se isha unë, ku ishte e paqartë se ku donte të dilte. Thjesht nuk mund ta besoja. Diçka po merrte për kot. Nëse isha unë ai apo ai ishte versioni im, pse atëherë nuk kishte paraqitjen time? Sa më shumë e mendoja, aq më shumë po futesha në një situatë të pazgjidhshme dhe doja t’u jepja fund këtyre bisedave të pafundme që kishin orë të tëra që zgjasnin. Doja të hapja dritaren për të pastruar mendjen dhe për të ardhur në vete;

Zırrrrrrrrrrrrrrr, zırrrrrrrrrrr, zırrrrr…

-Offffff, ç’a bëhet kështu? Kush erdhi sot në pike të mëngjesit, dhe i ra derës sime?