| Nga DRITAN SKENDERI |
Thonë se vetëm shtëpia të pret gjithmonë
Thonë se vetëm aty gjithmonë je i mirseardhur
Po ç’kuptim ka pritja për atë që kurrë s’të largon
Ç’kuptim ka pritja dhe për atë që kurrë s’të ka ardhur
Po u prite ku s’je i ftuar
Je me fat, je i bekuar
Por, kur të shkosh diku pa ftesë
Duhet prit mos ket’ kush t’presë
Ikën kohërat kur mysafiri
Isht’ i shtrenjtë si xhevahiri
Ikën kohërat kur n’derë, pa ftuar
T’prisnin n’këmbë, e bukën shtruar
Tash po deshe të të presin
Lexo letrën që n’derë e ngjesin
Le që kush guxon t’urdhërojë
Dhe kur vjen e duhet t’shkojë
T’gjitha bukur i ka të shkruar
Mysafir kush do për t’shkuar
Se për dosta e jarana
Asht harru kur ka ba nana
Fjalë sa t’duash për miqësi
Për mirsjellje e dashuri
Por, kur vjen fjala t’vihen n’jetë
Eh, more mik, nuk asht e lehtë
Asht vështirë n’ktë kohë t’kesh dy shtëpi
Asht vështirë n’ktë kohë të kesh miqësi
Asht vështirë dhe një shtëpi, besa, ta kesh
N’ktë kohë ku fjala mik të ban me qesh’