| Nga NADA DOSTI |
…E kam një këngë o pa e tepruar
është e lehtë o për ta kënduar
në mahall nuk është një fmi
që nuk e din…
Na ishte se ç’na ishte, na ishte një herë një qytet përrallor. Shumë pranë Bjeshëkeve të Sharrit, sa afër me vendin tim aq edhe me vendin fqinj. Termidava i thonin në krye të herës, më pas nisën ta thërrisnin Theranda e më vonë përsëri ia ndryshuan emrin.
Qyteti ka njëzetepesë burime të cilat nuk shterojnë asnjëherë. Uji i tyre magjik shëron plagë dhe dhimbje. Thonë se Haxhi Ymer Efendiu, njëri nga pronarët e krojeve, u kishte lënë amanet fqinjëve që në emër të tij të ngrihet një krua i ujit plot bereqet. Vet Haxhi Ymeri nuk kishte fëmijë për t’ia trashëguar dhe atë ia la trashëgimi gjithë qytetit. Kroi i Shpirtrave të Mirë, me pronar një shpirtmirë do të shuajë etje dhe do vazhdojë të mjekojë dhimbje deri ditën e fundit falë lutjeve të banorëve këtu.
Ky qytet flet tre gjuhë të ndryshme, ndonjëherë edhe të treja në të njëjtën kohë. Tre melodi të ndryshme luhen nga një cep i qytetit në një tjetër dhe më pas jehojnë në të gjithë vendin. Lëkurat e njerëzve gjithashtu kanë tre ngjyra të ndryshme: të bardhë, esmere dhe një ngjyrë mes të bardhës dhe esmeres. Të tre këta njerëz me ngjyra të ndryshme dhe që flasin gjuhë të ndyrshme jetojnë bashkë. Janë komshinjë dhe ndaj bashkë çdo begati dhe fatëkeqësi të këtij vendi.

Si çdo qytet tjetër zemërbardhë, edhe ky e ka një çarshi më një shatërvanë në qendër rrethuar nga kurorë kalldrëmesh. Banorët e pijnë të njëjtin çaj më të njëjtën ngjyrë prej mijëra vitesh. Cingërrima e lugëve të argjenta që bëjnë tavaf brenda në gotën e çajit për të tretur kupën e sheqerit krijojnë një simfoni të këndshme sëbashku me tingujt e shatërvanit. Mbrëmjet mistike freskohen nga lumi aty pranë që rrjedh poshtë një ure të gurtë dhe lëkund djepe heronjsh dhe heroinash, me në sfond një ninullë në tre gjuhë të ndryshme.
…E kam një këngë o pa mahi
o tanë Kosova o e ka ndi
e më së miri e këndoj
e këndon edhe tii…
