| Nga NAZIF AGALLIU |
Hyu i detit zbriti në Gji
Të gdhijë në guidë me vizitorët
Dërsin e derdhet deti
Në Grama, në Gjirin e Shkronjave.
Karaburuni më strehon si endës
Mbi ujëra të thellë blu e të kripur
Veshur me yllëzimin e gushtit
Mesnata derdhet në misteret e Gjirit.
Një eksplorator i vonuar jam
Një rendës në poemat e ujërave të Jonit
Nata e Gramës me kodikët e shkronjave
Në recitalin e epokave
Obeliskë e masivë muzealë
Udhëtim është jeta
Duhet një natë në Gramë
Mushti i detit në Gji derdhet
Vështrimi depërton e çgdhend emblemat
Veshur me det e gjinj hutimi
Grama në Gadishull seli e gjinjve
Shenjë e madhe kafshimi.
Bashkë në një çadër në natën e Gjirit
Me një ekskortë ujore celenteratë
Verbërinë natore operon argjendi i hënës
Në një shtrat shkume jehojnë arie
Nën një hënë kurioze gushti
Një simpozium ujor shumëgjuhësh e gjurmësh
Rizgjohen epokat me dekrete konsujsh
Me ultimatume piratësh e perandorësh.
Në trans dekori i Gjirit, imazhet
Shtrydhin Gjirin me dhëmbë felini
Përrallim Gjirin me ftohjen e hënës
E lëmë pas një shenjë kafshimi.
Maksimalistët flenë e zgjohen
Në truallin ranor të hënës së gushtit
Në halucinacione prekin më shumë
E më tepër kërkojnë
Kapërcejnë Gramën si sonambulë.
Fasada e Gramës e gurtë
Një koleksion i epokave në murale
Perandorë e gjeneralë
Në këtë prehër të fshehtë mbytën paqen.
Gjiri i Gramës bujtina e perëndive
Han i cubave, strehë karvanesh detarë
Thurimë për kohë mjalti e rënkime mortore
Një tempull e një salon i Luftës e Paqes.
Në mijëvjeçar një senat portal
Mushkritë u shkulën për tempuj e metropole
Anijet ikën, skllevërit më s’janë
U ngritën, lulëzuan, ranë Apollonia e Roma.
Një gjallesë deti gëlltit
Rënkimin nator të Gjirit
Një karkalec tenor bën dasmë
Mbi çadër, mbi pagjumësinë time.
Kali i detit në perëndim
Në ujëra gjeti një shtrat për lindje
Oktapodët me po atë verbim
E po me atë gjak ngjiten shkëmbinjve.
Grama bën dasmë ditë e natë
Sirena e meduza i mbushur Gjiri
Derdhet e derdhet deti tej shtrati
Mbi një gjurmë e një shenjë kafshimi.
Grama Karaburun, Verë 2025
Foto@JackWard