| Nga LIRIDON HYSENI |
Mëngjesi i së hënës fillon si çdoherë me alarmin e shkollës. Edhe një natë tjetër e gjatë pagjumësie, ndonëse për një trembëdhjetë vjeçar do ishte absurde të kishte probleme të tilla. Mirëpo ky djalosh i ri nuk është si çdo fëmijë tjetër.
Me t’u ngritur nga shtrati, pasi përfundon pregatitjet për shkollë nuk ka se si t’i ikë nga sytë për edhe një ditë tjetër ora e dorës mbi dollap. Ia kishte blerë babai ca muaj më parë, por vendos mos t’a mbajë më dhe me neveri e grabit me rrëmbim. Pa u mbathur ende del në derën e jashtme të shtëpisë dhe e gjuan me aq forcë sa gjithë ndjenjat iu grumbullan si një topth force në dorën e tij dhe i dhanë një vrull t’mahnitshëm!
Nëna e tij kishte dalë herët, ndonëse nuk ishte i sigurt a ishte kthyer në shtëpi mbrëmë, andaj do të kalojë kështu edhe një ditë tjetër pa të holla dhe pa vullnet për në shkollë!
Përshkoi gjithë lagjen e as për një hap nuk e ngreu kokën nga mendimet, pa rend, pa kuptim, të parakohshme, të tepërta!
Arrin tek dyert e shkollës, futet në rreshtin e nxënësve ende me kokën poshtë, askush nuk i drejtohet edhe pse përreth dëgjohen vetëm të qeshura, biseda për sporte, episoda filmash, humore, vetëm tek ky djalosh i ri përshtypja i mbetet tek mendimet, ato që s’po arrin t’u japë një rend, e kështu s’po arrin dot as t’i kontrollojë.
Vazhdojnë të gjithë sëbashku për në klasë dhe me të hyrë mësuesja vëren djaloshin e ulur vetëm në bankën në qosh të klasës e me një shikim të pikëllueshëm por jo aq sa të vërehej nga nxënësit e tjerë. Ajo nuk vepron diçka më shumë por përpiqet që t’a filloj javën e re ashtu si çdo javë tjetër deri më tani!
Kalon e tërë dita e djaloshit pa e hapur as edhe një bisedë madje as me shokun e tij të ngushtë, ai duket sikur vetëm përpiqet të arratiset nga gjithçka që e rrethon, vetëm e vetëm të strehohet me mendimet e tij që i lindin dita ditës e i grumbullohen vazhdimisht dhe nuk din as nga vijnë, e as pse vijnë, vetëm ka bindjen se mllefi i tij është n’thelb, pra në familje!
Rrugës për në shtëpi mërzitet duke mos kuptuar mendimet e tij dhe vendos pak që të ecë drejt e pak me më shumë vetbesim, por nëpër vëzhgimet me bisht syri nga moshtarët e tij që i kalojnë afër, e madje edhe ata nga larg që kthejnë kokën, i japin këtij djaloshi ndjenjën e izolimit e depresivitetit. I rënduar në këso mënyre psikologjikisht për pak sa nuk e godet një makinë në rrugën e kalimtarëve ngase kishte kaluar nëpër semafor të kuq duke mos e vërejtur fare nga ngutia e tij për t’i ikur shikimeve e mendimeve!
Arrin disi në shtëpi, dera ishte e hapur me siguri nëna ishte aty. Hynë brenda, vazhdon në dhomë, ndërrohet, shplodhet pak, kthehet në dhomën e ndejës dhe veç kur sheh: nëna e tij duke qarë!
Fjalët e tij janë të dobëta, gjithçka mundet të bëjë është ta përqafojë, por me t’iu afruar ajo ngrihet sikur mos ta përfillte fare djalin e saj dhe me një zë moskokëçarës e pyet “a ke ngrënë” sikur të donte vetëm t’a hiqte qafe duke vazhduar “sepse s’kam kohë më duhet të dal tani dhe t’i duhesh sot të qëndrosh vetëm. Je rritur tashmë s’ka kuptim të frikësohesh”!
“Kam ngrënë” ishte përgjigjja djaloshit, “ti mos u lodh për mua”!
Nga ndjenjat e tij të grumbulluara që i kishin fryrë brendësinë me mllefi, aq sa vetëm prisnin një gjilpërë sikur tullumbuacen që ta ngacmojë dhe të pëlcas, ai nuk arriti t’i kërkonte diçka nënës së tij ndonëse tërë ditën s’kishte ngrënë fare. Ishte i uritur por s’kishte kohë ta ndjente urinë, sepse i duhej të merrej me mendimet e tij që shkonin e vinin me vrull të pareshtura, e ai vazhdimisht vetëm lodhej e lodhej, por si i ri që ishte, nuk dinte ku të arratisej, ajo që e mohonte ishte familja, e kush tjetër do i gjindej pranë?!
Pas më pak se një ore nëna e tij del pa lënë asnjë fjalë, kësaj radhe kishte lënë një shumë të vogël duke lënë të nënkuptuar se do vonohej më shumë se zakonisht, por këtë sigurisht se nuk e shpresonte djaloshi!
Ngrihet që ta përgatisë vetë ushqimin, ngopet, dhe i kthehet librave, por më kot!
Mungonte ai vullneti që lind prej lumturisë, mungonte ajo atmosfera e shtëpisë, mungonin shakatë e babait, mungonin brengat e shprehura çdo natë të nënës, mungonin ndihmat e të dyve, mungonin konsultimet, mungonin zërat, fjalët, zhurmat e televizorit, qeshjet, mungonte familja!
Dhe kështu me mërzi mbylli librat dhe kapi telekomandën e ndërron përreth dhjetë minuta programet televizive duke mos e vërejtur as duke mos u interesuar për atë çfarë përmbanin këto stacione!
Në ato momente vëmendjen ia tërheq zilja telefonit që e kishte harruar në dhomë tek librat, ndonëse me pritesë ai ngrihet t’a merr dhe sheh se babai..
“Urdhëro babi”!
“A është nëna në shtëpi”?
“Jo, por unë jam…” dhe ai ia mbyll telefonin!
Djaloshi donte t’a shprehte para babait të tij se ishte vetëm duke kapërdirë mllefin e tij feminor, por kjo përfundoi në më shumë dëshpërim e neveri!
Me nervozë e trishtim hedhë diku telefonin dhe kthehet tek televizori, prapë duke ndërruar kanalet nervozohet edhe më shumë dhe gjuan me telekomandë aq fortë sa theu ekranin e televizorit, por që i mbetën disa pamje nëpër pjesët e parregullta!
Djaloshi duke i përcjellur vijat e thyerjes së ekranit, ashtu të parregullta disi e qetsonin, sigurisht se kishte ndikuar edhe hedhja e telekomandës dhe zhurma që bëri ekrani kur u thye por më tërheqëset ishin pamjet e shthurura që ishin nëpër ato pjesët e thyera të ekranit, që i mishëronin në mënyrë perfekte mendimet e tij!
Nuk e ka më atë ndjenjën e mëhershme kur bënte sherre dhe frikësohej e nganjëherë detyrohej t’gënjente nga frika e prindërve, por që në fund gjithmonë përfundonte me faljen e tyre, tani atij thjesht nuk i bëhej vonë!
Me më pak se katër orë gjumë, me një vakt të vetëm ushqimi e me presion psikologjik thuajse gjatë tërë ditës djaloshi më në fund në mbrëmje ndihet i lodhur dhe kotet për pak kohë në divan!
Një pushim më se i nevojshëm për këtë shpirt që po kalon nëpër pragun e pjekurisë në një formë besa të dhunshme!
Por kjo kotje zgjatë më shumë, e vazhdon deri në një gjumë të thellë, me ëndërra, udhëtime abstrakte, iluzione e synimet të parafytyruara brenda kohës së sekondave në mendjen e lodhur të djaloshit.
Natën e vazhdoi me gjumin e asaj kotjeje dhe kështu i përmbyllet kjo ditë e parë e kësaj jave të re, një fillim i ri sigurisht me një përvojë ndryshe ditore, me “armiq” të rinjë, me ndjenja të reja e fatkeqësisht të errëta! Nervozë, trishtim, dëshpërim, pikëllim, izolim, stres, presion, injorim, mllef që në këtë moshë të re për këtë djalosh! E kështu edhe për qindra mijëra raste që po përhapen si kancer shoqëror nëpër botë, kjo që po e mohon krijimin e kuptimit të jetës!
Prej se babai dhe nëna e tij u ndanë ky djalosh dita ditës rëndohej psikologjikisht në mendjen e tij të pastër si loti nga të këqijat, dhe kështu arrinë në pikën e gjetjes së qetësisë tek shfrenimi! Në këtë natë u thye vetëm ekrani i televizorit, por me moshë rriten “kërkesat” e shfrenosjes dhe mund të pasojë me thyerje të bankave, rregullave, ligjeve, kacafytje me armë, e ndoshta edhe fatalitet! Kjo është e pandalshme përderisa vazhdon nëna e tij të qëndroj larg shtëpisë dhe babai i tij të vrapojë pas së kotës e frytin e tyre të dashurisë e kanë lënë në mëshirë të kohës, të kësaj kohe e cila është veçse një grabitqare që pret prenë e saj teksa hudhet e lihet e vetme. Që më pas ta zhytë nëpër ndyrësirat që u krijuan gjatë viteve, e që me shpejtësi vazhdimisht të përshpejtuar zgjerohen nëpër nivele më të larta e duke u zvogëluar shansi i arratisjes nga këto kurthe pasi bie viktimë një herë! Mëngjesin tjetër jeta e re vazhdon e për djaloshin hapet rruga e re për të plot gracka, nëpër të cilat do kalojë sikur i verbër nëpër errësirë, pa përvojë dhe pa përkrahje!