| Nga DRITAN SKENDERI |
N’dasmën tënde kremtë hyjnore
E buzëqeshur, me ngazëllim
Yjet tek i ngjesh qafore
Nga sytë e tu marrin shkëlqim
Radhë pa fund nga të ftuar
Nga toka e qielli mysafir
Dasmën vijnë për të t’uruar
Unë n’një qoshkë, as nikoqir
Do të t’vijë mik i paftuar
Shpirti im, se s’rri pa t’parë
Do ketë festë dhe i lënduar
Nga hija jote mjekim do marrë
As do shihem as do hetohem
Me shpirt do vij të të përcjell
Si do vij dhe do largohem
Sapo n’qoshkë një gjyl të mbjell
Do kuptosh sa të bekuar
Do kesh jetën dhe shtëpinë
Gjithandej me gjyl rrethuar
Që kundërmim kanë dashurinë
Kur të shfaqesh me vello t’bardhë
Me aureolë, mbi kokë, kurorë
Ca krushq nga qielli do kenë ardhë
Do t’kenë sjellë një çejz hyjnor
Do t’urojnë qiej e tokë
Zoti vet do t’japë bekim
Do festosh me miq e shokë
Ditën tande, shpirti im
Plagë, pikëllim e dëshpërime
T’gjitha bashkë do t’i tuboj
Mos t’jenë më këto përjetime
Do t’i përbij, pastaj do shkoj
Dhimbje, vuajtje gjithë sa janë
Kostum do i qep si një terzi
Me to veshur do dal matanë
Këtej dhe veshjet t’jenë lumturi
Kështu nga lart do bëj sejran
Jetën tande, ty t’gëzuar
N’qiell për ashk qofsha kurban
Se n’tokë për ashk qeshë i dënuar