| Nga HAMDI NUHIJU |
Të prita në dritare e dashur. Të hënën. Binte borë dhe frynte një erë e lehtë nga Lindja. Atë ditë çatia e shtëpisë më dukej sikur më ka rënë mbi kokë. Ajo rrinte varur mbi supet e mia, me të gjitha rëndesat, vrimat dhe shtyllat. Dëgjoja zërat e mijve dhe mjaullimat e macave për prishjen e rehatisë në çati. Po, atij objekti madhështor i shndërruar në kala e që rrinte varur mbi supet e mia! Në dorën time u vizatuan pikturat e Pikasos, atij piktori famëmadh dhe në mendje rrëfeja këngët e Hafiz Shirazit. Këngë për dashurinë, buzët e kuqe, zemrën, lumturinë!
E dashur, të hënën nuk erdhe t`i përkëdhelësh fëmijët e tu. Unë me to, tek dritarja e vogël e dhomës rrinim në kujtime, prisnim të shfaqej hija jote e rëndë. Ajo hije që na mbulonte nga era e ftohtë e Lindjes e na freskonte prej rrezeve të forta të diellit. Rrezet digjeshin e hidhëroheshin pse nuk kishin mundësi ta takoheshin me lekurën tonë. Ata dëshironin ta kryenin ritualin e stinës për të na djegur lëkurën dhe dëshmuar praninë madhështore të Diellit. Hija jote e rëndë ishte mburojë për ne, një ombrellë që na mbante freskët dhe me energji për të duruar të padurueshmet e vapës.
Të hënën, e dashur, vizatuam praninë tënde. Te xhami i dritares e në fletore zhgarravisnim qimet e flokëve bojëqiell dhe numëronim vijat e fytyrës tënde. U betuam që me dashuri të trajtojmë çdo nyje dhe vijë e cila është shfaqur padrejtësisht në fytyrën tënde. Do të mbledhim thesarin e botës së fjalëve, dhe petalet e zemrës për të krijuar kurën e cila do të shëronte ato. Do të kërkojmë kodrave e luginave, nuk do të lëmë shteg pa kërkuar lulet me aromën më të bukur. Nuk do të ndalemi derisa zemra të na rrah!
E dashur, të hënën ti erdhe. Ja, u shfaq hija jote. Fëmijët u gëzuan, kopshti, oborri, çatia, minjtë e macet filluan vallen. U lumturova edhe unë!