| Nga DRITAN SKËNDERI |
Ah! Se ç’ishe ti për mua
S’rrëfej dot, jo, nuk arrij
S’mjaftojnë fjalët dhe po t’dua
N’një jetë vargje s’e përfshij
–
Diell e hanë gjithë i mbuloja
S’doja kurrë t’i shihja me sy
Kisha frikë dhe nuk guxoja
T’më bëjnë dritë më shumë se ti
–
As ndër pemë as në lulishte
Kurrë s’jam ndalur të pushoj
Për mu’ prehje ma t’mirë s’kishte
Se n’krahët tu, ah…, kur e kujtoj
–
Gjithnjë netëve rrija zgjuar
Pa bërë kurrë as gjumë me sy
Kurrë s’jam ndier as i vetmuar
Yll! Për ty flisja… dhe me ty
–
Më parë s’dija si të jetoj
As dija se ç’është nji dashuri
Xhahil isha, e pranoj
Gjersa n’jetë më erdhe ti
–
Si frymë hyre, m’dhe gjallëri
Nga vdekja më ktheve n’jetë
Por, siç m’rilinde sërish ti
T’gjallë m’varrose dora vetë
–
M’lër t’rrëfehem, jo t’ankohem
Se jam razi me fatin tim
Zemrës po, që i hidhërohem
Ia fali gjuhës sekretin tim
–
Siç bën gjuha, si e përdalë
Mos i dhënsh një çik liri!
Zhvesh sekretin fjalë për fjalë
Të kthen, nga ar, n’thëngjill e hi
–
Ah!, Të dija t’flisja me heshtje
Dhe në heshtje të të dua
Do rilindja n’çdo buzqeshje
E do vdisja n’buzët tua…