| Nga HAMDI NUHIJU |
Lulet e pranverës kanë filluar të çelin. Era, shushurima e zogjve përmbi lumin Vardar është kthyer në një puhizë jete që rrëmben mendjet e çoroditura. Përplasjet midis civilizimeve dhe orientimet politike kanë gjetur strehë në këtë vend. Duket i mallkuar! Është vend gurë. I ndërtuar me mjeshtri nga gurë-gdhendësit e tri perandorive.
Xha Hasbiu për çdo ditë në Çarshinë e Shkupit, barte mallra të ndryshëm tregtarësh. Në atë mënyrë ia siguronte jetesën tërë familjes. Familje karakteristike dymbëdhjetë anëtarëshe. Nënë Hasimja ishte në pritje të anëtarit të mbëdhjetë. Një ditë frikësohet për vonesën e Hasbiut. Del në penxhere dhe me fytyrën e saj të shqetësuar shikon rrugën me kalldërma. Në kokë i sillen mendime dhe pyetje të ndryshme. Kur do të kthehet, pse u vonua kaq shumë, çfarë ndodhi, mos e rrëmbeu dikush rrugës, mos e plaçkitën plaçkitësit?! Ose edhe ndoshta mos e ka torturuar ndonjë xhandar?! Dihet se Shkupi ka përjetuar regjime të ndryshme, ndërsa xhandarët gjithmonë janë sjell njëjtë ndaj shqiptarëve. Kanë folur me gjuhën e dhunës dhe padrejtësisë.
Duket hija e rëndë e Hasbiut i cili me vete kishte pesë bukë të ngrohta. Me to nuk mund të ushqente as gjysmën e familjes, por në fytyrën e nënë Hasimes u dukën shkëndija buzëqeshjeje. Me vrap zbret poshtë për ti hapur dyert e portës! Nuk përshëndeten, Xha Hasbiu ia jep bukët, rregullon mjetin e tij të punës dhe shkon në çardak për të ndezur duhan.
Futet në mendime. I kujtohet koha kur për herë të parë, Shkupin e vizitoi Sulltan AbdulHamidi i dytë. Ishin kohëra tjera, flet me vetveten! Ishte më mirë. Isha i fuqishëm dhe kishte shumë njerëz. Ajo kohë më mundësoi të ndërtoj këtë shtëpi. Ndërsa sot, nuk mundem të ushqej as familjen. Punon tërë ditën e natën për pesë bukë të ngrohta! Por do të vijnë kohëra më të mira. Nëse ky fëmijë që është duke ardhur, është djalë, do t`ia lë emrin Epos! Duhet që të jetë i madh, më trup, me dije, me emër dhe me vepër. Do ta dërgoj në shkollë.
Të nesërmen, me mëngjes Nënë Hasimes i fillojnë dhimbjet e lindjes. Porosisin ta thërrasin mamijën e lagjes për të lindur. Pas një kohe, mamija del nga dhoma e gëzuar dhe bërtet: myzhde zotëri Hasbi, është djalë! Xha Hasbiu i gëzuar për lindjen e djalit, gostit tërë lagjen me llokume Stambolli.
Pas një jave thërret shahirat për të organizuar një aheng për nder të lindjes së djalit të tij. Ishte një natë e paharrueshme! Të gjithë fëmijët tjerë të Nënë Hasimes dhe Xha Hasbiut gëzohen. Gëzohen edhe fqinjët. Në ato kohë rrallë organizoheshin ahengje, dhe t`i ftosh shahirat në shtëpi ishte një ngjarje e jashtëzakonshme.
Tre muaj, pas kësaj ngjarje ndodh tërmeti i madh që përmbyt tërë Shkupin, preku edhe familjen e Xha Hasbiut. Shtëpia i rrënohet, ndërsa Nënë Hasimja së bashku me shumicën e fëmijëve mbyten nën rrënoja. Kësaj katastrofe i shpëton vetëm Hasbiu dhe djali i tij Eposi.