NGËRÇ JEHONASH

| Nga LIRIDON HYSENI |

Gjysh, sa herë e kam shkruar këtë letër,
Do ta krenaroje me shkrepëtima syri
Por nuk e shkrova aq herë…
Deri sonte, nuk di se si do arrij tek ti!
Por ma mirë ta them e mos ta ndëgjosh
Se gjysh, unë nipi yt vuaj për gjuhën që e deshe aq shumë
Të duhet sot nga ata që e gëzuan në formën më të pastërt
Gjysh, të pastërtën sot nuk po e duan
Hopa ngriten e përleshen mbi bilurin e saj
Shkërrmoqen, gjakosen, baltosen, shahen e shqyhen si qen
Shkarraviten e jargiten, pastaj ngriten si artistë ekspresionistë
E flasin si modernistë
Se këtë, kështu të zgjyrosur e adhurojmë,
E duam dhe e bëjmë
Gjysh, unë vuaj se ty të shqyen e shkërrmoqën
Por gjuhën mbajte mbi plisin tënd të bardhë
Ashtu të pastërt, të ndritshme…
S’arritën të ngjiteshin në majen e kokës tënde.
Bënte shumë ftohtë atje për ta!

Më zgërdhihen fantazmat e librave që i solle prej matanë
Para fytyrës së errësuar nën hijet e rënda të natës
I gjunjëzuar,
Turpi mban këmbën e saj mbi fytyrën time përtokë
Dhe lutem e shpresoj mos të më ndëgjosh
Gjysh, fëmijët janë shumë të lumtur me jetën
Po përcillen nga urdhërat gjithandej
Nga ato që ti kurrë nuk i durove
Por ata janë të lumtur, me të vërtetë
Se prindërit kanë shkëputur kordonin prej dheut amë
Me dhëmbë e përndanë
E tash janë rehat në shtratin e butë mëndafsh
Që nuk kutërbon erë skamjeje e sakrifice
Dhe është ngrohtë natën, e freskët ditën
Mos të çuditesh se ta them unë
Ai mëndafsh rritet nga rrënjët e ujitura me gjakun tuaj
Mbi dheun e nxirë nga mynxyrat e shokëve tu
Atje në kopshtet e atyre që i zbukuruan me ngjyrat e lëkurave
Kur rrinin pa frymë, pa ujë e bukë
Varësisht prej motit të torturave
Ah, sa të lumtur e të qetë janë,
Me gjuhën e “zbukuruar” sot
Se gjuha jote gjysh thonë se s’është në modë!
Të paktën, jo më…

Uroj të jetë kjo një letër e brishtë,
E shiu le ta tretë linjës përpjetë.
Mos të arrij në gishtat e tu të nxirë
Sikur mushkëritë,
Sot nga shqiptari, bir shqiptari
Kryevepër prokuroriale e motiv hollivudian
(Se ç’është hollivudi ta them me pak fjalë,
Të kujtohet melodia për gjarpërin,
Kur ja nxjerrin kokën jashtë qypit
Duke u përdredhur si kokëbosh e hutaq
Ne jemi gjarpëri në këtë rast)
Ja njashtu pra, rojet e burgjeve
Jo nga ata që ty të kishin për xhan,
Ishin shqiptarë ore shqiptarë,
Që mbytën e nxinë gjoksin e një tjetri,
Edhe ai tjetri ish shqiptar, gjysh, shqiptar!
Mbeti pa frymë e u thà
Sikur mushkëritë e tua.

Le të mos frymojnë këto vargje liri
Sot në liri le ti nënshtrohen fatit të zi
E të gurohen nën petkun e errët të natës
Ku ti heshtesh matanë jetës, veprës e fjalës
Por ti me siguri që ekziston,
Siq ekzistojnë paradat politike,
Që valojnë flamujt filmik para fytyrave naive
E i kërkojnë lëmoshë mendësisë së brishtë.
Në liri, liri të plotë
Jo nga liria që u tretë në dëshirat e tua të pagëzuara,
Atë harrove dhe e mbajte me vete
Mos e kthe!
Se do e masakrojnë si gjuhën
Mos e përmend!
Se të vret me barrën e viteve,
E peshën e rëndë të historisë së harruar…

Më dridhen duart gjysh, e nuk përmbahem
Le të dërrmohen si trupi yt
Shtrirë mbi acarin e dyshemeve përthithëse
Si zgavër balte, që të zhyti në dergjë
Dhe çdo vepër amanet njashtu u ngja
Gjuhë e komb, vuajnë si ti dikur me shokë
Vuajnë, por janë të lirë e janë rehat
Sidomos prijësit, që mezi toka i mbanë
Gjysma të zgjebosur, gjysma shpirtshitur,
Shokshitur, djepshitur, gjakshitur
Gjithçka tani mbanë të gravuar çmimin në ballë gjysh,
S’do ta arrinin as paratë e tokave tua
Që u dyndën në faqe librash, e raftesh
Kurrë nuk u shtuan, veç u pakësuan,
Si jetërat e krenarëve që lobonin, e nuk shitnin atë mot.
Sot nëntoka dridhet nga brejtjet e këtyre, të ndyra
Kanaleve të tregtisë enorme morale e njerëzore
Se kur shet gjithçka siq duket,
S’do ketë asgjë të ta prishë rehatinë!
Këtë s’di si ta fsheh nën këto hije,
Por nuk mund ta shes, turpërohem
Andaj po e shkruaj, me shpresë
Se zhytet në dergjë e nuk mbijeton gjer’ në aradhet tua

Nën dënesë kuptoj se dergja për ty s’mbaroi nën dhè,
E as mbi qiellin e shtatë…
Shpirti yt grimcëron në qelizat e zemrës sime,
Dhe dënon, e turpëron çdo ndjenjë kënaqësie.
Do të të shkruaj përsëri gjysh!
A me fjalë, a me vaj,
Me shpresën e njëjtë që ofshamat mos t’i ndjesh’
Se dua kur të t’takoj,
Të paktën të mundesh të më përqafosh,
Me shpirtin larë në dëlirësi
Unë ta fshehi këtë letër,
Për aq sa qiejtë ende na ndajnë,
Të jesh i qetë të paktën atje,
E këtu, peshën e kësaj letre unë ta mbaj!
Gjysh, rri rehat,
Se ne jemi të lumtur, të ri, bujarë
Edhe pse s’jemi krenarë!

Foto@BryanDickerson