NGOPUR

| Nga LIRIDON HYSENI |

E pata një lule,

Petalet ja këputa

Një e nga një

Në pëllëmbë i vendosa

Dhe fillova emra t’iu vë!

Ish prag mesnate,

Dhe nata s’bënte zë,

Ftohtë ish e mjegullinë,

Vetë isha si “hë për hë”!

Mallëngjimi ish e para,

Petalja që mori emrin,

Mbi pëllëmbë qëndronte,

Por rrënjët kishte n’zemër!

Loti ish e dyta,

Që m’digjte lëkurën,

M’shijonte më shumë,

Dhimbjes i linte vulën!

Krenaria ish e radhës,

E shtypur mes gishtave,

E shpartalluar nëpër pëllëmbë,

Si mbeturinë e rrugicave!

Heshtja qëndronte elegante,

Në cep të dorës!

Shijonte qetësinë e natës,

Sikur bota mos t’ekzistonte!

Ëndërra ish vyshkur,

Më e zymtë se mjegull,

Dalë ngadalë thyhej,

Si një shpresë duke vdekur!

Dashuria ish më vezulluesja

Që ndriçonte edhe n’mjegullinë,

Veçse zemra më s’reflektonte,

Hëna s’donte më dritë!