NJË DITË E RE

| Nga SELMIRA DZIKEZI |

Rrugët nëpër të cilat po eci janë shumë të ngushta për mua më duket, jam a s’jam e lumtur? Ndihem sikur kam ngecur në Araf. Nuk e di saktësisht se ku gjendet zemra ime! Doja shumë të isha me të, por jam këtu dhe besoja se kjo duhej të më kënaqte. Po a është vërtetë kështu?


-Mamiii!

Erdha në vete vetëm pasi ia dëgjova zërin. Pra, bota qenka këtu! Kjo është bota ime dhe edhe pse doja ta ndryshoja, një pjesë e zemrës sime do ta dëshironte gjithmonë këtë jetë për të.
E mora djalin në krahë, e shtrëngova, e putha dhe e nuhata. Më pa me atë shikimin “mami çfarë ka që nuk shkon?”. Pastaj u rikthye përsëri në lojën e tij.


Unë vazhdova punën time si zakonisht, por përsiatjet nuk u larguan. Ishin të gjitha aty. Ose jam unë që po çmendem ose truri i njeriut është sporvë më vete. Mendoja pa pushim, sikur doja të ruaja çdo moment që kujtoja. Kujtimet u kthyen në një rrotë cirku panoramike. Mendimet e mia po bërtisnin, ndërsa goja më ishte kyçur. Çdo mendim u kthye në lot…


Duhet të isha e fortë, kjo ishte zgjidhja e duhur sikur në fakt të kisha pasur ndonjë zgjedhje tjetër, kështuqë iu dorëzova asaj që më kishte rënë për pjesë. A janë vërtet të tyret zgjedhjet e njerëzve? Mjaft! Do marr djalin tim dhe do dal.


Dora e tij e vogël kyçur në timen. Po ecim. Drejt shtigjeve të paqarta. Ai vazhdon të më shikojë, teksa e ndjen dhe trishtimin tim. Herë pas here ai më puth dorën dhe më buzëqesh. Edhe unë gjithashtu përpiqem të buzëqesh. Ecim për një kohë të gjatë. Duhet të jetë lodhur sepse sapo ndaloi. Më kërkon ta mbaj hopa. Ndërsa e mbaj në krahë, kuptoj se sa e lodhur jam.


Ulemi diku. Fillojmë të shikojmë njerëzit. Të gjithë duken të lumtur, ose kështu më duket mua. Nuk mund t’i shuaj zërat brenda meje. Sikur askush nuk po mendon përveç meje. I telefonova shoqes time. Ndoshta po të flisja me të ndërsa ajo ishte me mua, do të më zhdukeshin mendimet.


-Të dua shumë, por…


Fjalitë filluan me këtë lloj togfjalësh por unë s’e mbajta dot veten, ia thash të gjitha, por prap nuk u lehtësova. Ajo e dinte se çfarë do të thotë të krijosh dhe të ruash një familje dhe të humbasësh nëpër përgjegjësi, por prap nuk më kuptonte. Ajo nuk e ka përjetuar atë që unë përjetova, nuk e ndjeu kurrë atë që unë e ndjeva, nuk mund ta ndjejë dhimbjen dhe trishtimin tim. Mbeta e zhgënjyer. U ngrita për të shkuar të freskohem. Me lot ndër sy po shikoja drejt pasqyrës. A jam unë gruaja në pasqyrë? Kur u ktheva, shoqa ime ishte duke buzëqeshur dhe duke luajtur me djalin tim. Duhet dhe unë ta bëj të njëjtën gjë, duhet të jem në gjendje ta bëj këtë patjetër. Edhe unë duhet të jem si ajo. Ndoshta djali im do jetë më i lumtur në këtë mënyrë. Kafshova buzët. Nuk do të qaja më. Teksa po e përshëndesja shoqen time, vështrimi i saj i thyer ndaj meje, buzëqeshja e saj e thyer dhe fjalët e saja për t’u kujdesur për veten time nuk më hiqeshin nga mendja gjatë gjithë mbrëmjes. Asaj i erdhi keq për mua. Mikesha ime prej shumë vitesh. Asaj i vinte keq për mua. Megjithatë, nuk kisha nevojë për mëshirë. Një përqafim, një fjalë e mirë, apo thjesht një pushim kisha nevojë… dhe jo për një ndjenjë keqardhjeje.


Sa zhgënjime mund të përballojë një person në jetën e tij? Të gjithë në shtëpi shkuan për të fjetur. Doja ta shikoja veten përsëri në pasqyrë para se të flija. Doja ta mësoja përmendësh plotësisht gruan në anën tjetër të pasqyrimit, çdo vizë në fytyrën time është një tregues i asaj që kam përjetuar. Mos vallë ngaqë më vjen keq kohët e fundit për veten time që kam marrë të njëjtin trajtim nga ata që më rrethojnë?


Vazhdoj drejt shtratit tim nëpër errësirë, duke shtrirë trupin tim të dobët në shtrat dhe duke ndjerë se sa e rëndë është koka ime. Lëshoj të gjitha mendimet që kisha shtrirë në jastëk, nesër është një ditë e re dhe do zgjedh ta dua veten, dhe jo të më vijë keq për të.