NJË TOKË PA POPULL

| Nga PEREN BIRSAYGILI |

Parakushti kryesor i sionizmit ishte mohimi i identitetit palestinez. Qëllimi i liderëve sionistë nuk ishte vetëm pushtimi i tokës së Palestinës dhe krijimi i një shteti mbi të. Synimi ishte gjithashtu të bëhej i padukshëm një trashëgimi e lashtë, qytete të gjalla, një popull që jetonte aty dhe një kulturë e rrënjosur thellë. Sepse një tokë mund të kthehej në “atdhe të humbur” vetëm nëse paraqitej si e zbrazët. Për ta bërë të mundur kthimin fizik, duhej të ishte e koduar kështu në mendjet e njerëzve.

Prandaj, shprehja “një tokë pa popull për një popull pa tokë” u përsërit qysh në fillimet më të hershme. Për shembull, në vitin 1839, Lord Shaftesbury botoi në gazetën The Times një shpallje të tërë faqeje me titull “Rilindja e Shtetit dhe e Hebrenjve”, duke iu drejtuar sundimtarëve protestantë të Europës dhe duke e përshkruar kështu Palestinën. Ndërsa shkrimtari amerikan Mark Twain, gjatë një udhëtimi në vitin 1867, shkroi:

“Këtu nuk ka gjë tjetër veçse shpendë grabitqarë dhe dhelpra të fshehta.”

Sionistët vazhduan ta përhapnin këtë pretendim, por realiteti ishte krejt tjetër. Valët e mëdha të emigrimit hebre në Palestinë shkaktuan ballafaqime të mëdha me arabët palestinezë, megjithatë ata nuk hoqën dorë nga ky trillim. Dhe në fakt, përveç qindra provave historike, mjafton një element i vetëm që e rrëzon këtë gënjeshtër: koncertet e artistes së madhe egjiptiane Um Kalthum në Palestinë.

Palestinë, qytetet në këmbë për Um Kalthumin

Um Kalthum mbërriti për një seri koncertesh më 29 gusht 1931. Vizitën e parë e kishte bërë në vitin 1928, duke kënduar në Teatrin Aden të Jerusalemit përpara një publiku të madh. Këtë herë, ajo synonte të vizitonte disa qytete. E shoqëronin vëllai i saj Khalid Efendi, kompozitori dhe udisti Muhamed el-Kasabgi, qanunisti Muhamed el-Akkad dhe violinisti Karim Helmi.

Nisja nga Kajro u shoqërua me madhështi. Ajo vetë, e vetëdijshme se po udhëtonte drejt Palestinës nën mandat britanik, nuk arriti t’i mbante lotët. Kur pas një dite udhëtim mbërriti në portin e Jafës, emocionet u dyfishuan. Thuajse gjithë elita e qytetit ishte aty për ta pritur, ndërsa në nder të saj u organizua edhe një festë.

Më pas, anija vazhdoi drejt portit të Haifës, ku pritja ishte po aq e madhe. Nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Hasan Shukri Bej, Um Kalthum dha dy koncerte që lanë gjurmë ditë të tëra. U kthye në Jafë për dy koncerte të tjera dhe më pas i përmbylli me dy shfaqje në Jerusalem. Më 12 tetor 1931, ajo u kthye në Kajro me kujtime të paharrueshme.

Interesi ishte aq i madh, sa gazeta e njohur El-Karmel raportoi se një palestinez kishte shitur disa thasë mielli vetëm për të blerë biletën e koncertit. Mijëra njerëz mbushën sallat, ndërsa fshatarë të panumërt dolën nëpër rrugë, duke pritur që dy ditë më parë përpara skenës ku do të performonte. Varfëria e rëndë dhe kriza ekonomike që solli mandati britanik nuk i ndaloi aspak.

Në verën e vitit 1933, Um Kalthum u rikthye sërish në Jafë, Haifë e Jerusalem. Publiku ishte edhe më i madh. Njerëz nga Nablusi, Gaza e Akra udhëtuan për të marrë pjesë. Një moment i paharrueshëm ishte kur ajo ftoi në skenë një fëmijë palestinez të quajtur Ruhi al-Khammash, i cili më vonë do të bëhej violinist i madh dhe kompozitor. Ajo e puthi në ballë pasi e dëgjoi të këndonte – dhurata e parë e madhe e jetës së tij artistike. Pas Nakbës, Ruhi al-Khammash do të përfundonte i mërguar në Irak, por gjithmonë me kujtimin e saj.

Dy vjet më vonë, Um Kalthum u kthye përsëri, këtë herë në prag të Kryengritjes së Madhe Palestinase (1936). Edhe pse atmosfera politike ishte e tensionuar, koncertet e saj në Jerusalem, Haifë dhe Jafë u mbushën me entuziazëm të paparë.

“Ylli i Lindjes”: një emër i lindur në Haifë

Një nga momentet më të veçanta ndodhi në vitin 1931, gjatë koncertit në Orient Café të Haifës. Një grua palestineze, e pushtuar nga emocioni, iu drejtua skenës duke thirrur: “Um Kalthum, ti je Ylli i Lindjes!”. Gazetat e kohës e pasqyruan këtë thirrje, dhe që atëherë, epiteti u bë pjesë e pandashme e figurës së saj.

Ky nuk ishte thjesht një shpërthim admirimi, por një shprehje krenarie kulturore në një periudhë kritike. Haifa ishte jo vetëm një qendër e fuqishme e rezistencës ndaj mandatit britanik dhe emigrimit sionist, por edhe një vatër e gjallë kulturore, me teatrot, kinematë, grupet muzikore dhe aktivitetet letrare.

Para se të ekzistonte Izraeli, këtu kishte muzikë

Vetëm kujtimet e koncerteve të Um Kalthumit mjaftojnë për të rrëzuar mitin sionist të “tokës pa popull”. Ato tregojnë se populli palestinez jo vetëm që ekzistonte, por kishte një kulturë dhe një ndjeshmëri muzikore të lartë.

Jafa, e quajtur shpesh “Kajroja e vogël”, kishte një jetë të gjallë muzikore e argëtuese. Teatrot e Haifës mirëpritnin artistë nga gjithë bota arabe, veçanërisht nga Egjipti. Nablusi ishte qendër e muzikës popullore palestineze. Jerusalemi mbante një traditë të pasur të muzikës fetare. Haifa ishte vendlindja e poetëve të madhërishëm të këngëve të rezistencës si Nuh Ibrahim. Dhe mbi të gjitha, zëri i Um Kalthumit u bë jo vetëm pjesë e kujtesës historike palestineze, por edhe një dëshmi që shkatërron njërin prej miteve themelore të sionizmit.

*Idetë e shprehura në këtë artikull i përkasin autorit dhe mund të mos pasqyrojnë politikën redaktuese të HESHTJE!

Foto@https://egypttravelblog.com/podcast032/