| Nga NADA DOSTI |
Ëndrrat! Nëse ëndrrat janë një pjesë e profetësisë, mbrëmë kam parë të ardhmen me sy mbyllur. Zgjohem me një ndjenjë ankthi dhe trishtimi. Do më marrin për të marrë nëse ia tregoj dikujt se jam mërzitur dhe po qaj për një gjë që ende s’ka ndodhur. Për një përjetim të një tjetër bote që as nuk më përket.
Para meje shfaqet një pamje apoliktike njëjtë si nëpër filma. Toka dridhej, njerëzit ecnin në drejtime të paditura. Sa ngjarje tragjike aq edhe normale. Për çudi nuk kam frikë. Kam një shqetësim në kraharor, një lëmsh i mbledhur në fyt. Kam lënë dikë pas. Dikë apo diçka më të madhe se vetja më priste dhe kishte nevojë për mua. Sikur të kisha lënë një mision të paplotësuar, një amanet pa çuar në vend. Shikoj rreth e rrotull në kërkim të një dore tek e cila do të kapem por më kot. Nuk dua më shumë!
Të njëjtën ditë, fiks një vit më pas e gjej veten në Durrës. Marrë një ftesë nga larg për të përmbyllur një kontratë pune. “Pah, treqind kilometra… tëtë orë rrugë …vetëm e vetëm për një firmë!” Jo nuk ia vlen!” mendova.
Diçka më mbante të mos ikja. Çuditërisht, për herë të parë në jetën time. Në rrethana të tjera, çdo justifikim ishte i vlefshëm vetëm për të kaluar kodra e male e për të vizituar vendin dhe njerëzit e mi të preferuar. Por atë ditë, si kurrë më parë, nuk ma kishte ëndja të udhëtoja. Kisha një parandjenjë që duhej të qëndroja aty, në shtëpinë time, në qytetin tim të vogël të lindjes. Të nesërmen kisha për të mbajtur një seminar, kisha dhënë dhe fjalën!
Ora tre e natës. Orar kur të gjitha të ligat mblidhen bashkë. Kur krimet dhe zullumet më të mëdha mbulojnë tokën. Zgjohemi nën dridhjet të forta. Dritat shkëputen menjëherë. Marr telefonin, për të bërë pak ndriçim. Mendimi i parë në ato momente ishte im bir, të cilin e kisha lënë me motrën. Teksa gishtat më dridheshin i dërgoj një mesazh në të qindëtën e sekondës ”Amanet çunin!” Një oshëtimë e madhe rrënimesh filloi të vërshojë. Teksa binte muri rrethues i shtëpisë, mua m’u bë sikur po na binte kati i dytë mbi kokë. Rrëmbej robdeshamberin dhe një pëlhurë aty për të mbështjellur kokën. Ashtu nën terr zgjoj gjyshen, ose ajo më zgjon mua. S’e mbaj mend mirë. E tërheq me sa fuqi kam dhe e shtyj drejt portës pastaj dal dhe vetë. Gjashtëdhjetë sekonda sa një përjetësi.
Jashtë është shumë ftohtë. Një i ftohtë tipik i fund nëntorit, i një nate në një qytet bregdetar.
Fqinjët tanë kishin dalur jashtë, askush më nuk guxonte të kthehej brenda në shtëpi. Thuajse e gjithë lagjja kishte dalur në shesh, ishin mbledhur të gjithë pranë. Nën terrin e natës, në atë lagjen e vogël periferike ku bashkëjetojnë komunitete të ndryshme, nuk dalloheshin ngjyrat e lëkurës. As firma e pantoflave apo rrobdishambrëve që kishim mbathur. Të gjithë ishim një, pa asnjë dallim.
Të gjithë na bashkon një dert i vetëm: mirënjohja që ia hodhëm me kaq pasi në një lagje aty pranë është shembur një pallat i tërë. Në Thumanë, një katund shumë pranë nesh, janë shuar pesëdhjetë e një shpirtra. Ndërsa ne jemi gjallë, pas pak do vijë agimi dhe ne do shijojmë rrezet e para të një ditë të re. Një bekim i ri për të cilin duhet të jemi falënderues.
Në orët e para të mëngjesit rikthehmi nën çatiat tona, të paktën ne një shtëpi e kemi ende, edhe pse mure të krisura, rrethim bahçesh të rëna. Në ditë vajtimesh si këto, të kesh një çati mbi kokë është një nimet, e të jesh në jetë është një mrekulli më vete.
Jeta vazhdon. Nisem për në Kavajë ku mbahet seminari, i cili kalon pa ndonjë surprizë, thjesht me disa dridhje të herëpashershme nën këmbët tona, asgjë e jashtëzakonshme. Thjesht mësohesh, sikurse mësohesh me valët e detit pasi ke notuar për kohë të gjatë gjatë ditës e kur shtrihesh në krevat të duket sikur je ende ndër valë dhe krevati të bëhet si djep që lëkundet.
Një mesazh vjen nga larg. Pastaj një telefonatë. Jo vetëm e largët në distancë por edhe në kohë. Vinte prej një kohe të pakohë. Një telefonatë e ngrohtë sa një përqafim, për të thënë “pavarësisht të gjitha unë të jam pranë”. Një telefonatë që kishte lënë pas çdo hatërmbetje, mëri, mllef, zhgënjim, frustrim, e të tjera ndjesi të përshtjelluara si këto.
Telefoni nuk ndalet edhe nga njerëzit që duan të dhurojnë, nga pasuria dhe koha e tyre. Njerëz që janë të gatshëm të përshkruajnë kilometra vetëm për t’u ardhur në ndihmë njerëzve këtu.
Para gati njëzet vjetësh, gjatë luftës së Kosovës mbaj mend që kemi pasë strehuar në shtëpinë tonë një familje refugjatësh. Veçanërisht ky qyteti im i lindjes, ka pranuar numrin më të madh të këtyre familjeve të ikura nga lufta. Me siguri, e mira që ky qytet ka dhuruar atë kohë, është ngritur lart në qiell, dhe pas kaq shumë kohësh po rikthehet nga aty ku ka ardhur, pikërisht në këto momente të vështira për banorët e tij…