NUANCAT GRI TË SHKUPIT

| Nga NADA DOSTI |

E gjitha nisi me një biletë autobusi dhe peripecitë për ta marrë atë nga Turqia. Agjencia shqiptare e autobusave nuk ka një faqe në internet dhe as nuk ofron mënyra për ta blerë atë online. “O Zot në çfarë shekulli jetojmë?” – pyes veten e stresuar pas gjithë atyre përpjekjeve për të blerë thjeshtë një biletë, asgjë më shumë.

Pashaporta e kuqe

Ndër vite udhëtimesh me autobus të linjës Durrës-Shkup kam koleksionuar kujtime të ndryshme, dhe të gjitha nën sfondin e paharrueshëm të “Medës”, “Bertanit”, “Kasapit”, “Gaxhës” “Fejzullahut të madh dhe të vogël,  dhe … e kush i mban mend të gjithë.

Por ajo që mbaj mend është se doja s’doja i mësova tekstet e këngëve përmendësh. Kujtoj sa herë kam fshehur pashaportën time të kuqe në një këllëf tjetër vetëm e vetëm nga turpi se mos identifikohesha si “ajo e Shqip’ris’” një stereotip ky që përkonte me vajzat shqiptare të cilat udhëtonin kryesisht drejt Tetovës si “studente” por që përfundonin klubeve të natës. Si to kam takuar plot:

“Po jo o goc, ça shkolle mi? Pse mi do thartoj trrut’ un’ duke msu’ dhe harxhu’ lek’ kur në nji nat’ “tune belin” fitoj sa mund t’kisha harxhu’ për nji simestër?. Po ça t’i them atyre të shpisë un’? “Shkolla, shkolla” ata.” – më tregon një durrsake, ndërkohë që unë përpiqem të tregohem se nuk po e paragjykoj për zgjedhjet e veta edhe pse brenda vetes mbetem e skandalizuar nga ato që dëgjoj.

Një herë kur u nisa për kursin e gjuhës dhe kulturës maqedonase më pyet polici i kufirit në sy të gjithë pasagjerëve të tjerë:

-Për ku kështu?

-Për në Universitetin e Kirilij i Metodij- pëgjigjem unë me gjysëm zëri e trembur pak nga fakti se ai kishte përzgjedhur të marrë në pyetje vetëm ne gocat me pashaportë të kuqe.

-Po si pra, hec o goc’ m’thuj ku do shkosh e sa do rrish?”

Atherë i tregoj formularin e regjistrimit dhe ftesen nga Universiteti edhe si për “t’ia përplasur në fytyrë” duke dashur të thyeja stereotipin e pashaportës së kuqe.

Kam takuar plot gra që ishin të martuara me shqiptarë të Maqedonisë dhe gjithmonë u kërkoja të më rrëfenin për probemet me përshtatjen me kulturën dhe traditat e vendit si dhe krahasimin me vendin tonë. Mirëpo këtë herë, për të parën herë takova një durrsake të lidhur me një maqedonas. “Unë shkoj çdo fundjavë ta takoj,” më thotë. E ndërsa bëhem gati ta pyes “ç’ne me maqedonas?” ma kthen paraprakisht: “Po shqiptarët janë shumë tradicionalë dhe konservatorë, turqelinjtë akoma më keq, as t’i hedhin sytë fare, janë shumë fetar.. nuk përshtatem dot unë ashtu”.

Këtë herë, përsëri për herë të parë, takova një kumanovare që shkonte në Shqipëri për të takuar të fejuarin e saj. Më kishte rastisur vetëm të takoja gra që udhëtonin nga Shqipëria drejt dashurisë së tyre përtej kufirit, por jo e kundërta. Kurioziteti dhe pak instikti prej gazetareje për të zbuluar më shumë, më shtyu ta pyesja për arsyen:” E kaluara ime është tepër e rëndë për t’u përballuar nga një i vendit tim, ndërsa ju të Shqipërisë jeni më mendje hapur dhe për dashuri bëni gjithçka.”

Një tjetër këndvështrim

E lodhur nga vizita e vendeve të bukura plot drita dhe shkëlqim të Shkupit vendosa që këtë herë të zbuloja një anë të re që s’e kisha parë ose s’kam dashur ta shoh ndoshta më përpara. Një vend është gjithmonë i bukur i parë nga sytë e turistit, por ç’thonë vetë ata që jetojnë këtu? Çfarë realiteti të zi fsheh ti Shkupi im i dashur? Rrëfemë gjithë të zezat e tua që të të dua akoma më shumë!

Kështu duke iu drejtuar qendrës së qytetit me disa miq të mi turqeli kalojmë në një nënkalim të rrënuar, me një ajër të mbytur nga lloj lloj erërash të ndryshme mbetjesh organike dhe jo vetëm. Ndoshta e kam vënë re dhe herë të tjera këtë nënkalim por s’kam guxuar të kaloj aty madje kam mbyllur sytë sepse s’kam dashur ta shoh.

Një mikeshë e vjetër shkupjane më premton se do më çojë të vizitoj lagjet shqiptare për të kuptuar më mirë “se si jetojmë ne viktimat e këtij sistemi” shprehet ajo me atë mllefin dhe gjakënxehtësinë që i karakterizon shqiptarët e Maqedonisë kur bie fjala për politikë dhe ekonomi. Lagjet e markuara shqiptare nuk janë dhe aq ndryshe nga lagjet periferike në Shqipëri apo ndonëj vendi tjetër ballkanik.

Një shoqia ime boshnjake, teksa ecim kalldrëmeve të çarshisë më prezanton me një İtaliane të martuar me … “I’m Albanian from Macedonia and not Macedonian, please ladies! (Unë jam shqiptar nga Maqedonia dhe jo maqedonas, ju lutem zonja..!)”, thotë bashkëshorti i saj me pak ironi siç reagojnë shumica e shqiptarëve të Maqedonisë kur iu  thua maqedonas. Marianxhela kishte mësuar edhe shqip edhe maqedonisht. E nuk ka se si mos t’ia bëja pyetjen e gjithmonshme: “Si është të jesh nuse në Maqedoni?” Me një buzëqeshje të ëmbël më përgjigjet se duke qenë nga Bari, pra me kultura dhe tradita jo shumë të ndryshme nuk ka hasur probleme në përshtatje. Dhe duke psherëtirë thellë dhe plot zhgënjim më tregon për krizat politike dhe financiare që vendi po kalon, vështirësitë që hasin ata edhe pse të dy punojnë. “Ne po mendojmë të zhvendosemi në Itali”, më drejtohet burri i saj, “Nuk rrihet më këtu”.

“E ku mbeti ajo qasja se “nuk i lë unë të gjitha për të shkuar tek mëmëdheu gruas”?” e pyes unë si “eksperte” e këtyre debateve të dëgjuara prej rrëfenjave gjatë 8 orë rrugëtimi të linjës Durrës-Shkup. “Ehh, ikën ato kohëra, sot të gjithë po ikin nga këtu. E ku ta dish ti se çfarë heqim ne këndej, ti si turiste vjen e shkon. Të gjithë po kërkojnë për ndonjë të njohur diku jashtë që t’i tërheqë jo më unë që e kam gruan italiane”.

Pasi ndahemi më këtë çift që më la goxha mbresa mendoj se sa fantastik është mutikulturalizmi këtu në Maqedoni. Të shkathtësohet edhe instikti për të ndërruar gjuhën e komunikimit me personin që ke përpara.

Komuniteti i preferuar dhe më i dashur tek unë janë boshnjakët e Maqedonisë. Ajo cilësi që e dua fort tek ky komunitet është pikërisht vëllazëria. Kur e krahasoj këtë komunitet e tjera si më shqiptarët apo turqelitë vërej se tek këta të fundit duhet shumë mund që t’u fitosh zemrën, apo të bëhesh pjesë e tyre. Gjithmonë do të shohin si të jashtme, ti kurrë nuk mund t’u përkasësh atyre. Edhe pse në fakt, nëse një ditë arrin t’ua fitosh zemrën, nuk të lëshojnë më kurrë. Por prap, ti do mbetesh e jashtem, e huaj, jabanxhie.

Ndërsa me xhematin boshnjak, mbaj mend kur për herë të parë kam marrë pjesë në një takim të tyre më kanë mbuluar në përqafime sikur njiheshim prej vitesh. Ndoshta në një tjetër botë kemi qenë rrjeshtuar shumë afër njëra- tjetrës.

“Femrat boshnjake janë burrnesha, janë të vujtuna e të sprovuara, nuk ka se si mos t’i duash”, më thotë Mersiha që më ka lexuar në mendje teksa i flas për këtë dashurinë time ndaj komunitetit boshnjak .

Irma, kjo studente fakulteti, plot shpresa dhe ambicie më shoqëron për orët e fundit para kthimit. “Irma është hera e 13 që e vizitoj Shkupin, nëse dëshiron thjesht ulemi në çarshi dhe bisedojmë pak e qajmë dertet” i them unë e lodhur paraprakisht nga tetë-orarshi i famshëm që më pret. Ndërsa Irma më kap për dore dhe plot vetëbesim se do më tregojë një këndvështrim ndryshe të Shkupit më çon në Bit Pazar. Asgjë s’paska ndryshuar aty fatkeqsisht. Është po i njëjti mjerim dhe shkatërrim, e shto këtu katrahuren e pas orës 4 ku thuajse të gjitha dyqanet janë të mbyllura. Mbyllje e cila lë pas një ditë të lodhshme, në një realitet të lodhshëm, derte.

Një realitet gri. Aq gri sa edhe perëndimi duket të mbartë të njëjtat ngjyra. Nuk më ngjan aspak me perëndimin durrsak mbi valët e detit, por prap e ndjej aq afër sa dhe vendi im.