| Nga DRITAN SKENDERI |
O vdekje, po të pres…
Kam një jetë në udhëtim
Pa të parë s’dua të vdes
Mos më lër me mallëngjim
O vdekje, të përgjërohem…
Të kam kërkim edhe gjetje
Vetëm ti më bën të zgjohem
Mos më lër të shkoj me etje
O vdekje, përse po hesht…
As më flet as më shikon
Pa t’parë me sy kjo zemër s’resht
Jakmë pra, pse m’torturon
O vdekje, s’mundem më…
Po s’më erdhe do të ik
Amanet po ta lë
Shpresën njerëzve mos ua fik.