Në ditët e freskëta të tetorit, Stambolli u bë sërish mikpritës i botës shumëngjyrëshe të revistave. Nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Türkiye, me mbështetjen e YTB-së dhe Komunës së Esenlerit, Ditët e 16-ta Ndërkombëtare të Revistave, të organizuara nga Bashkimi Botëror i Revistave (DergiBir), u zhvilluan më 9–12 tetor në hapësirën historike të Bibliotekës Rami.

Dikur kazerma e shekullit XVIII, sot Biblioteka Rami, me konceptin e “bibliotekës së gjallë”, u shndërrua në zemër të letërsisë, kulturës dhe mendimit.
Festivali, i nisur në vitin 2009 nga shkrimtari i ndjerë Asım Gültekin me bashkëpunimin e miqve të tij dhe revistave të ndryshme letrare, është një organizim unik i këtij lloji, që prej atëherë ka vazhduar të zgjerohet me gjithnjë e më shumë anëtarë.
Edicioni i këtij viti përsëri mblodhi nën një çati letërsinë, artin, kulturën, rininë, shkollën, botimet shkencore e digjitale, institucionale dhe revistë amatore.

Revista HESHTJE, anëtare e DergiBir që nga viti 2022, mori pjesë për të tretin vit radhazi, duke e konsideruar mision përhapjen e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. Në stendën e saj u prezantuan shkrimtarë dhe literatura shqipe, u ndërtuan ura komunikimi me lexues dhe përfaqësues kulturorë, dhe u zhvilluan kontakte me botime nga Ballkani, me synimin për të krijuar një bashkim rajonal dhe për të forcuar panairet e këtij lloji.
Programi i pasur me biseda, panele, punëtori dhe aktivitete për fëmijë i dha jetë panairit, duke frymëzuar penat e reja dhe lexuesit e së ardhmes. Slogani i këtij viti, “Një Botë Revistash në Rami”, pasqyroi entuziazmin e kulturës dhe të fjalës që mbushi stendat, panelet dhe bisedat miqësore.
Me shpresën që vitin e ardhshëm ky takim të realizohet edhe në trojet tona dhe të zgjerohet me më shumë revista nga Ballkani, Stambolli e mbylli edicionin e 16-të të Ditëve Ndërkombëtare të Revistave, duke lënë gjurmë të reja e frymëzuese në kujtesën letrare.
@HESHTJE