Përkujtojmë sot poetët martirë, Vilson Blloshmi (18 mars 1948-17 korrik 1977) dhe Genc Leka (23 mars 1941 – 17 korrik, 1977).

Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.
Shkëputur nga poezia e Vilson Blloshmit, me titull “Saharaja”, e konsideruar si vepër penale e “agjitacion e propagandës për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”. Aktakuza e cila dënoi me vdekje poetin, ndër të tjera lidhet edhe me këtë poezi për përqasjen e Shqipërisë me shkretëtirën e Saharasë.
Vilson Blloshmi lindi më 18 mars të vitit 1948, në Bërzeshtë të Librazhdit. Ndoqi shkollën e mesme Pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj edhe pse me rezultate të shkëlqyera nuk u lejua të vazhdonte shkollën e lartë. Pas diplomimit në Elbasan punoi si bujk, druvar dhe minator. Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa patur mundësi t’i botojë për shkak të të qenurit pjesëtar i një familje “kulakësh”. Duke qenë me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë”. Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje. Letërsia e tij do të përbente rrezik për regjimin komunist shqiptar.
Në datë 13 qershor 1977 Gjykata e Rrethit Librazhd i dënoi dy poetët Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën me vdekje, pushkatim, vendim i cili u zbatua në datë 17 korrik 1977.
Në vitin 1994 Vilson Blloshmit iu dha dekorata “Martir i Demokracisë” dhe në vitin 2006, u shpall “Qytetar Nderi” i rrethit të Librazhdit.
Në nder të dy poetëve është ngritur një memorial bronxi në qytetin e Librazhdit.

Genc Leka
Poezia e fundit
O hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar,
Mos vallë për mua po mban zi?
……..
Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar
Dhe pse sot po shkruaj të fundmen poezi.
(Shkruar në gusht 1976, pak ditë para arrestimit që i mori jetën)
Genc Leka ishte mësues dhe poet, i pushkatuar në kohën e regjimit komunist. Lindi më 23 mars 1941 në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Mes viteve 1959-1962 studioi në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit dhe pastaj më 1960-61 e emëruan mësues në Zdrajsh, në krahinën e Çermenikës. Në vitet 1967-68 shërbeu ushtar, pranë Cërrikut.
Prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim nga organet e Sigurimit. U arrestua më 31 gusht 1976 dhe pas njëmbëdhjetë muaj torturash në hetuesinë e Librazhdit, u akuzua për “sabotim dhe agjitacion e propagandë”. Me vendimin nr. 45 më 16 qershor 1977 dënohet me pushkatim bashkë me kushëririn e tij poet Vilson Blloshmi. Pas një kërkese për falje, më 16 korrik 1977 Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës. U ekzekutua bashkë me kushëririn e tij, Vilson Blloshmin, më 17 korrik të vitit 1977, në vendin e quajtur “Përroi i Firarit”. Më 1994, Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën“Martir i Demokracisë”. Një vit më vone emri i ti iu vu një prej shkollave 9 vjeçare të Librazhdit. Në vitin 2009, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u botua vepra e tij e plotë. Në vitin 2010 Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën “Nderi i Kombit”.