“POETI QË I KËNDON VENDLINDJES”

Nazif Agalliu ka lindur në Berat në vitin 1952 ndërsa banon në Tiranë prej vitesh. Ka mbaruar studimet për Gjuhë dhe Letërsi dhe punon në fushën e mësimdhënies po për të njëjtën lëmi. Deri më tani krijimtaria e tij shënon një numër prej gjashtë librash poetikë dhe dy në prozë të botuara ndër vite. 

Njeriu, koha dhe natyra janë trialiteti themelor për kultivimin e krijimtarisë së tij. Një poet i cili i shkruan mitologjisë, historisë, Beratit, vendlindjes dhe mëmëdheut duke ndërthurur arkitekturën me natyrën dhe duke i shndërruar në art dhe letërsi. Letërsi e cila në ditët e sotme mund të shërbejë si një thirrje për të rinjtë për të reflektuar mbi vlerat dhe pasuritë e atdheut.

Së pari, a mund të tregoni për lexuesit e Revistës Heshtje se si nisi rrugëtimi juaj me letërsinë, që prej vendimit për të studiuar Gjuhë Letërsi deri tek kultivimi krijimtarisë tuaj ndër vite. Cila lindi e para dëshira për të bërë letërsi apo për ta studjuar atë? 

REVISTA HESHTJE

Është një rrugëtim i hershëm e krijimtarisë time dhe vendlindja, fëmijëria dhe kontakti me natyrën kanë qenë shtysat e para. Duke e admiruar vendlindjen dhe duke marrë sjelljet e natyrës së saj befasuese duke i ndërthurur në krijimtarinë time. Në klasën e dytë fillore morën jetë shkrimet e mia të para. Atëherë pata guxuar të dërgoja për botim në Tiranë, në revistën Pioneri, vargjet e para. Dhe pas dy muajsh mora lajmin se Pioneri kishte botuar dy poezi të mia: “Atdheu” dhe “Vendlindja”. Më pas, krijimtaria vijoi të botohej edhe në revistën Drita. Botimi im i parë i përket vitit 1959, ndërsa ciklet poetike nisin në vitet 70’, kur isha student e në rrugëtimin letrar. Nisa të kuptoj herët me vetëdijen time se duhej një jetë e tërë të jesh njeri dhe poet. Dashamirësit e leximit, miqtë e mi poetë, promovimet, gazetat dhe revistat letrare, shtëpitë botuese më komplimentonin dhe përshëndesnin për librat në poezi shumica e disa në prozë. Kështu, poezia ecte e fliste vetë. Shkonte më parë tek lexuesi, para se unë të kapërceja urat.

Sigurisht dëshira për të bërë letërsi ishte ndër ëndërrimet e para dhe dëshira për ta studiuar dhe kultivuar atë erdhi më pas natyrshëm dhe qe një rrugëtim i gjatë.

Berati, Stambolli, Misuri, Miçigan…dhe toponime të ngjashme janë një element i rëndësishëm në krijimtarinë tuaj dhe një frymëzim për ju..por si ndikojnë këto elementë në poezinë tuaj dhe si e formësojnë atë? 

REVISTA HESHTJE

Tharmi dhe embrioni im poetik janë natyra dhe mjerimi në tërësinë e shfaqjes dhe të ekzistencës, kjo në përmasat e motiveve të meditimit dhe të muzës sime. 

Një pasdite vjeshte, bashkë me im atë, hipur mbi një Skodë, zbresim nga Gurra në Berat për një shkollim dhe një jetë më të mirë. Kisha nisur klasën e dytë në fshat dhe duke parë për herë të parë Beratin dhe u mrekullova. Dhe kjo perjudhë e fëmijërisë time karakterizohet me dhimbje, mall dhe nostalgji për vendlindjen për pafajsinë e asaj kohe, për ninullat etj. Gjithë ky qytetërim mijëravjeçar me gjymtyrë muzealë tundonte gjithçka. Kështu, në shtëpinë e re, praën lumit, pyllit dhe harkimit të urave projektova dhe kultivova kopshtin tim të vogël letrar. 

Më pas, vizioni dhe hapësira ime poetike do të vizatonte Stambollin, Sarajevën, Miçiganin e largët, Më pas do të vizitojë me imagjinatën time edhe kryeqytetet më të afërta si Prishtinën, Shkupin, Athinën etj.

Poezia pushton nëpër motive me klithma kuptimore shumëngjyrëshe. Ky rënkim dhe kjo mahnitje ecin në kërkim në rrugët e jetës. Tingujt dhe fjalët janë mëshirimi i shpirtit që shpërthen herë me zhurmë herë me delikatesë. Projektohen e kompozohen këtu emocionet me dashurinë. Fytyra e jashtme e saj, rima, metrika dhe figurat letrare sinkronizohen me fytyrën e brendshme: fermentimin e mendimit, rënkimin e shpirtit…

Mitologjia, hiostoria…gjithashtu janë fusha prej të cilave ju huazoni shumë elementë të cilët pastaj i trajtoni në poezinë tuaj, a është kjo e lidhur me ndonjë pasion, profesion, apo ëndërr të parealizuar?

REVISTA HESHTJE

Poezi, shpesh pohohet se “do të shpëtojë botën”. Edhe vetë pajtohem me këtë. Në vetvete shoh një shpresë të vogël: mundësinë e dobisë për të qenë i lirë. Poezia më bën të ndjej e të mendoj. Kjo muzikë e shpirtit, sipas Volterit, mbetet protestë për pamjaftueshmërinë e jetës. Mitologjia është dhe mbetet për mua referimi i shumëfishtë për shtëpinë e muzave. Mitet janë të pranishme edhe në disa poezi të miat dhe më të preferuarat janë miret dhe legjendat shqiptare. Edhe baladat tona gjithashtu janë perla orale.

Sa më afër miteve aq më afër fatit të njeriut. Referimin ndaj miteve dhe historisë i quaj mision, ekuivalent me misionin e mësimdhënësit, ndaj përndrizet dhe ushqehet me pasion. Pavarësi, pa lidhje me profesionin dhe ëndrrat.

A keni autorë vendas dhe të huaj të cilët ju kanë frymëzuar që në gjenezë të krijimtarisë tuaj, por edhe më vonë?

REVISTA HESHTJE

Poeti ynë kombëtar Naim Frashëri. Ëndërrimet e tij i lexova që në klasën e parë në vendlindje. Im atë organizonte kurse analfabetizmi dhe mbante një raft me libra në shtëpi prej 50-60 librash. Midis tyre lexova dhe Naimin, apostullin shqiptar. De Rada gjithashtu qe ndër ta, të cilin e pëlqeva që në fillim, po gjatë kësaj periudhe kohe. Mjedën, Nolin, Kadarenë, gjtihashtu i kam pasur si referncë dhe frymëzim. Ndërsa ndër autorët e huaj do të veçoja poetët latinë, lirikët grekë, Tre shkrimtarë të huaj të cilët i vlerësoj si korifej të përhershëm janë: Servantesin, Gogolin dhe Kafkën. Ndërsa poetët që lexoj vazhdimisht janë Borgesi, Ezra Paund, Robert Frost, Ungareti, Emerson, Blejk, Tagora, e të tjerë si këta.

Dhe në fund, si e perceptoni “heshtjen” si koncept? 

REVISTA HESHTJE

Meditim. Solemnitet. Zbritje në pusin e nënvetëdijes për të artikuluar të vërtetën. Një vokacion brenda shqisave për të ujitur paqen. Meditim shpirtëror me të gjallët e me të vdekurit. Ura më e pafundme globale për komunikim me qytetërimet…